Një rrjedhje gazi është bërë shkak për shembjen e një ndërtese dykatëshe, që shkaktoi vdekjen e të paktën 3 personave në Itali. Forcat e emergjencave nxorën trupat e pajetë të një çifti që jetonte në katin e dytë dhe një personi të tretë, me aftësi të kufizuara, i cili u gjet poshtë rrënojave.

Ngjarja ndodhi në qytezën e Goricias, në verilindje të Italisë, rreth orës 4 të mëngjesit të së enjtes. Banorët e qytezës thanë për mediat se u çuan nga gjumi të tmerruar, pasi menduan fillimisht për një tërmet.

Autoritetet italiane njoftuan se sasia e gazit të mbledhur ishte e madhe, duke shkatërruar të gjithë ndërtesën. Pista kryesore e hetimit është përqendruar te shkeljet teknike të firmave të gazit, pasi sipas dëshmitarëve në zonë kishin nisur punimet për të rinovuar linjën.