Për një javë, miliona rusë kanë votuar për të ndryshuar kushtetutën, me shumë prej tyre që kanë përdorur qendrat e votimit të hapura mbi trungje pemësh, stola në park e madje edhe bagazhe makinash.

Çmime të mëdha në lotari i kanë joshur ata të shkojnë në zgjedhje me shansin që të fitojnë gjithçka, nga kuponat për blerje falas e deri tek një makinë apo një apartament.

Figurat e opozitës kanë denoncuar si një farsë procesin e shtrirë në shtatë ditë, pa një monitorim të përshtatshëm dhe as vëzhgim të pavarur. Por, për Kremlinin, amendimi është thelbësor. Votimi do të hapë rrugën që vladimir putin të qëndrojë në pushtet deri në 2036-ën nëse ai do të dojë.

“Ne po votojmë për vendin në të cilin duam të jetojmë dhe që ne duam t’ia lëmë trashëgim fëmijëve tanë” tha putin në fjalimin e tij para kombit në ditën e fundit të votimit.

Ndërhyrja më e madhe në kushtetutë që nga 1993, ky votim pjesërisht ka të bëjë me ravijëzimin e vizionit të Vladimir Putinit për Rusinë dhe mbështetet tek vlerat dhe prioritetet që ai ka vendosur gjatë dy dekadave në Kremlin.

Kushtetuta e re përfshin nene që promovojnë edukimin patriotik, ndalimin e martesave mes të njëjtit seks dhe përmend shprehimisht zotin, gjithcka në linjë me konservatorizmin kulturor në rritje të sundimit të Vladimir Putin.

E mërkura, është dita e fundit e votimit. Kremlini do një pjesëmarrje prej të paktën 70 për qind ndërkohë që exitpollet e para janë publikuar tashmë, diçka kjo që është e ndaluar në zgjedhje normale. Dhe ato flasin në favor të Putinit. Sidoqoftë, kushtetuta e re është printuar tashmë dhe ka dalë madje edhe në shitje nëpër librari.