SHBA: Kandidatët demokratë vënë në shënjestër rivalin Bernie Sanders

26/02/2020 - 19:36

Senatori amerikan Bernie Sanders ishte në shënjestër të rivalëve të tij për emërimin presidencial demokrat në debatin e fundit televiziv të mbajtur të martën në Çarleston të Karolinës së Jugut. Sanders është kryesuesi i garës në nivel kombëtar pas fitoreve në tre zgjedhjet e para paraprake, por rivalët e tij thonë se socialisti i vetëshpallur demokrat do të humbiste ndaj presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet kombëtare të nëntorit. Korrespondenti Richard Green i Zërit të Amerikës njofton.

Në konfrontimin ballë për ballë në debatin e organizuar nga CBS News, Sanders, një i pavarur nga Vermonti i cili u radhit me demokratët në Senat, u pyet se si do t'i bindte votuesit se do të ishte një drejtues më i mirë i ekonomisë sesa Presidenti Trump, megjithë rritjen e tregut të aksioneve.

"Vitin e kaluar, rritja reale e pagave për një punëtor mesatar ishte më pak se 1%. Gjysma e njerëzve jetojnë duke pritur nga një rrogë tek tjetra ... Kjo nuk është një ekonomi që punon për popullin amerikan por një ekonomi, që punon për 1% të popullit. Ne do të krijojmë një ekonomi për të gjithë, jo vetëm për kontribuesit e pasur të fushatës", tha senatori Bernie Sanders.

Sanders ka premtuar të zgjerojë Medicare, programin e sigurimeve shëndetësore për të moshuarit amerikanë, për ta vënë atë në dispozicion për të gjithë, pavarësisht nga mosha. Por rivalët e tij, përfshirë senatoren e Minesotës, Amy Klobuchar, pretendojnë se planet e Sandersit për të rritur ndjeshëm shpenzimet e mirëqenies sociale për shëndetin dhe arsimin do të ishin shumë të kushtueshme.

"Jo, matematika flet ndryshe. Në një emission televiziv këtë javë ai tha se nuk do të shpjegonte me hollësi shpenzimet për planin. Epo, më lejoni t'ju them se për sa shpenzime bëhet fjalë - afro 60 trilion dollarë. A e dini se sa është kjo shumë për të gjitha programet e tij? "

"Nuk është e vërtetë."

"Kjo është sa tre herë ekonomia amerikane, jo qeveria federale, e gjithë ekonomia amerikane", tha senatorja Klobuchar.

Ish nënpresidenti Joe Biden përdori rastin e një sulmi me armë në një kishë kryesisht afrikano-amerikane në Çarlston në vitin 2015 për të sulmuar Sandersin për kundërshtimin e tij të mëparshëm me legjislacionin që do t'i mbante prodhuesit e armëve përgjegjës për dhunën me armë në Shtetet e Bashkuara.

"Bernie votoi pesë herë kundër projekt-ligjit Brady, dhe kërkoi një periudhë pritjeje vetëm prej 12 orësh. Unë nuk po them se ai është përgjegjës për nëntë vdekjet në atë incident, por vrasësi nuk do të kishte qenë në gjendje të merrte atë armë me një periudhë pritjeje sa ajo që kisha sugjeruar unë", tha zoti Biden.

Kundërshtarët e Sanders kanë thënë gjithashtu se vlerësimet e tij të favorshme për dekada të tëra për diktatorë të tillë të majtë, si Fidel Castro i Kubës do të refuzoheshin nga votuesit e moderuar dhe konservatorë në pjesë të caktuara të vendit. Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg madje sugjeroi që Sanders po përdorej nga presidenti rus Vladimir Putin.

"Donald Trump mendon se do të ishte më mirë që ai të jetë President. Unë nuk mendoj kështu. Vladimir Putin mendon se Donald Trump është - duhet të jetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, dhe kjo është arsyeja pse Rusia po ju ndihmon të zgjidheni kandidat në mënyrë që të humbisni", tha zoti Bloomberg.

Debati vjen vetëm katër ditë para se Karolina e Jugut, me 54 delegatët e saj kombëtar në lojë, të mbajë zgjedhjet paraprake. Biden, i cili dikur ishte kryesues i garës, mban një epërsi të ngushtë ndaj Sandersit në Karolinën e Jugut, por vëzhguesit thonë se ekziston mundësia që Sanders gjithashtu mund të fitojë shtetin, duke e vendosur atë në një pozicion komandues përpara të ashtuquajturës "Super e Marta" votimi tre ditë më vonë, kur vendosen se kush do të marrë më shumë se 1300 delegatë. /VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Rreth 20 mijë raste të reja personash të infektuar me COVID-19 janë regjistruar në SHBA në 24 orët e fundit.

Franca ka regjistruar 541 viktima nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit.

Senatori amerikan, Bernie Sanders, ndërpreu fushatën e tij për të fituar nominimin si kandidat për president të SHBA-së nga ana e Partisë

Numri i viktimave nga Covid-19 në Gjermani i ka kaluar 2 mijë por ato janë me vetëm 1.9% e totalit të personave që kanë rezultuar të infe

Vazhdon trendi në ngadalësim i pandemisë së koronavirsusit në Itali, regjistrohen 542 viktima në 24 orët e fundit.

828 persona  kanë humbur jetën nga koronavirusi brenda 24 orëve në Angli. Nga të dhënat që publikon OBSH, deri më tani numri në total i v

Spanja ka regjistruar sërish rritje të numrit vdekjeve nga koronavirusi, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë lëshuar ditën e so

Nga Vatikani, Papa Françesku sot ka dënuar ashpër ata që përfitojnë ekonomikisht dhe shohin avantazhe monetare nga pandemia e COVID-19.

Më 7 prill 1994 filloi në Ruandë gjenocidi që zgjati 100 ditë, gjatë të cilit u vranë 1 milionë vetë.

Shkencëtari kryesor i Bashkimit Evropian dha dorëheqjen duke dënuar përgjigjen “zhgënjyese”, sipas tij, të Brukselit ndaj pandemisë së ko