SHBA- "U tmerrova, shpëtova mirë, u fsheha në një dhomë të vogël brenda në shkollë". Ky është rrëfimi i vajzës 9-vjeçare, Venesa Bajraliu, i treguar nëpërmjet vëllait të saj për "GSH", në lidhje me masakrën e djeshme në SHBA, ku u vranë 20 fëmijë.
28 persona humbën jetën në një shkollë fillore në Konektikat, pasi një i ri 24- vjeçar qëlloi me breshëri mbi nxënësit e shkollës ku mamaja e tij (edhe ajo viktimë) jepte mësim. 
 Mërgim Bajraliu është 17 vjeç dhe është nxënës po në atë shkollë. Në momentin e çmendurisë ai ndodhej në shtëpinë e tij bashkë me të ëmën, pak metra larg shkollës. Pasi dëgjuan të shtëna, ata vrapuan menjëherë për tek e motra, Venesa 9-vjeçare. 

"Isha ndër personat e parë që shkuan aty, ndërkohë që krismat vazhdonin ende. Një vajzë doli me fytyrë të gjakosur. Nuk di ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva kur pashë atë vajzë dhe nuk po gjeja dot motrën time. Motra më tha që policët i kishin kërkuar asaj dhe fëmijëve të tjerë që mbijetuan, që të mbyllnin sytë për të mos parë se ç'kishte ndodhur përreth", – rrëfen Bajraliu në një intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare".
Ndërsa në të gjitha mediat e huaja, emri i shqiptarit Mërgim Bajraliu përmendej si një prej dëshmitarëve kryesorë, ne kontaktuam me të nëpërmjet rrjetit social "Facebook" dhe ai na tregoi se çfarë kishte parë e motra e mbijetuar dhe ai vetë dje, në shkollën ku mësojnë çdo ditë. 

Mërgim, ku ishe në momentin që ndodhi ngjarja?

Në momentin që ndodhi ngjarja ndodhesha në shtëpi me mamin. E kemi shtëpinë pak metra larg nga shkolla. Unë nuk kisha shkuar në shkollë. Në një moment dëgjuam të shtëna dhe atëherë edhe alarmin e policisë. Shkova me mamin me vrap tek shkolla dhe ishim ndër njerëzit e parë që mbërritën aty. Fëmijët akoma s'kishin dalë të gjithë. 

Çfarë pe kur shkove atje?

Sapo mbërrita pashë tre fëmijë, dy prej të cilëve besoj se ishin të vdekur. Njëri ishte i plagosur dhe i mbuluar i gjithi me gjak. Ishte e tmerrshme. 

Motrën, e gjetët?

Pas njëzet minutash doli edhe motra ime, Venesa Bajraliu. Të gjithë fëmijët që dolën ishin shumë të frikësuar, po ashtu edhe mësuesit. Ulërinin, qanin dhe vraponin sa andej-këtej. 

Si është?

Është trembur shumë, por fizikisht është mirë. Ama kam një shok, vëllai i të cilit vdiq. Kur e mendoj, ndihem aq keq. 

Sa vjeçe është Venesa?

Vesa është vetëm nëntë vjeçe. 

Arritët ta shihnit vrasësin?

Jo. As unë e as Vesa nuk e pamë. 

Çfarë ju tregoi motra?

Është e tmerruar, po për fat shpëtoi. Na tha: "Kisha shumë frikë, isha e tmerruar. I dëgjova të gjitha… Isha me shoqet dhe u futëm në një dhomë të vogël brenda në shkollë. Më pas erdhën policët që na thanë t'i mbyllnim sytë, duke na ndaluar të shohin se ç'kishte ndodhur përreth. Edhe pasi dolëm nga shkolla, policët na urdhëronin të gjithë fëmijët që të mbyllnim sytë". Këtë na tha motra.

Kishte fëmijë të tjerë shqiptarë që mund të jenë vrarë?

Unë nuk di për fëmijë të tjerë shqiptarë. Nuk besoj. Por edhe mund të ketë. 

Prindërit e tu si janë? Janë trembur?

Babi nuk është këtu, ka shkuar në Kosovë. Pasi kishin kaluar dy orë nga ngjarja, folëm me të e i treguam. Mami është trembur shumë.

Nga cili qytet i Kosovës jeni?

Jemi nga Prishtina. 

Sa vite keni që jetoni në Amerikë?

Unë dhe Venesa kemi lindur në Amerikë. Prej shumë vitesh familja jonë jeton këtej.

 

STATUSI NE "FACEBOOK" I MERGIM BAJRALIUT

Shpresoj të gjeni kohën për të lexuar mbi tragjedinë në 'Sandy Hook School'. Motra ime mëson atje. Dëgjova krismat që nga shtëpia. Nuk kisha shkuar sot në shkollë, por shkova pastaj menjëherë me mamanë time. Isha ndër personat e parë që shkuan aty, ndërkohë që krismat vazhdonin ende. Gjëja e parë që pashë ishte një vajzë që e nxorën jashtë. Akoma po vazhdoj t'i lutem Zotit për të. Ishte gjëja e parë që më panë sytë. Më pas fillova të lutesha për motrën time. Pesë minuta më vonë, që m'u dukën si orë, Venesa erdhi jashtë duke qarë. Të gjithë fëmijët vrapuan jashtë me ulërima e duke qarë. Një vajzë doli me fytyrë të gjakosur. Nuk di ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva kur pashë atë vajzë dhe nuk po gjeja dot motrën time. E gjithë jeta pranë motrës, më erdhi përpara syve. Fillova të kërkoja falje me veten time, për çdo të keqe që mund t'i kem bërë asaj. Nisur nga kjo, dua t'ju them të gjithëve: Ju lutem shijojeni çdo moment të jetës pranë familjes tuaj. Është e pabesueshme se si një person i sëmurë e i pështirë mund të ndryshojë rrjedhën e gjithçkaje. Në fund, ju kërkoj të luteni për çdokënd që është dëmtuar në këtë ngjarje. Jeni të gjithë në lutjet e mia", – shkruan dëshmitari shqiptar