Gazetari bjellorus Roman Protasevich, i cili u arrestua me një fluturim të devijuar në Minsk muajin e kaluar është shfaqur në një intervistë i përlotur në televizionin shtetëror.

Në intervistën e transmetuar të enjten në mbrëmje, Protasevich pranoi se kishte punuar për të rrëzuar presidentin Aleksandër Lukashenko, ndërsa shtoi se intervistën tani e jepte me dëshirë.

Gazetari tha se fillimisht e kishte kritikuar shumë presidentin Lukashenko, por më vonë “fillova të kuptoj se ai po bënte gjënë e duhur dhe tani e respektoj atë,” u shpreh Protasevich, ndërsa në fund të intervistës shpërtheu në lot dhe tha se shpreson që një ditë të martohej dhe të kishte fëmijë. 

Nga ana tjetër, familja e gazetarit thotë se intervista u zhvillua me detyrim e nën presion, shkruan BBC. Babai i gazetarit i tha agjencisë së lajmeve AFP se ishte e dhimbshme të shihje intervistën.

“Unë e njoh djalin tim shumë mirë dhe besoj se ai kurrë nuk do të thoshte gjëra të tilla. Ata e detyruan të thoshte atë që ata donin”, tha ai.

Gazetari 26-vjeçar, ishte redaktor i kanalit opozitar Nexta në aplikacionin e mesazheve Telegram deri vitin e kaluar. Pas shpërthimit të protestave ai u vendos në listën e “individëve të përfshirë në veprimtari terroriste.”