Shtetet e Bashkuara thyen një rekord të ri botëror për numrin e viktimave ditore nga koronavirusi. 1169 të vdekur u regjistruan në 24 orët e fundit, teksa numri i përgjithshëm i viktimave arriti në rreth 6100. Mbi 6 mijë persona iu shtuan listës së të prekurve brenda një dite duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 245 442, që prej nisjes së pandemisë.

Vetëm 4.2% e tyre janë shëruar deri më tani. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë ritmet më të larta të përhapjes së pandemisë.

E premtja shënoi një tjetër shifër tepër të lartë viktimash ditore në Spanjë. 932 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, 18 më pak se rekordi absolut i të enjtes. Ky vend numëron tashmë afro 11 mijë viktima në total, ndërsa ka kapërcyer Italinë për nga numri i të prekurve që ka arritur në 117 710, më shumë se 5 mijë raste të reja të infektimit. 

Autoritetet britanike parashikojnë që e diela e Pashkës, 12 prilli, të shënojë edhe kulmin e shpërthimit të pandemisë. Britania e Madhe numëron aktualisht 3605 viktima dhe 38 168 të prekur, teksa përhapja po shtohet me ritme të shpejta. Qeveria britanike njoftoi se ka në plan të bëjë 100 mijë analiza ditore për rastet e dyshuara me koronavirus.

Tashmë edhe Gjermania ka më shumë të prekur nga koronavirusi se Kina. Ky vend numëron 87 244 të prekur prej fillimit të pandemisë, ndërsa numri i të vdekurve arriti në 1138. 

I gjithë globi numëron aktualisht 1 milion e 40998 të prekur dhe 55195  të vdekur. Të shëruarit përbëjnë aktualisht 21% të totalit të të prekurve.