Virusi vdekjeprurës i Kinës është përhapur edhe në Amerikë, ku është shënuar rasti i parë.

Sipas medieve të huaja, SHBA ka regjistruar rastin e parë të coronavirusit, ndërsa numri i viktimave deri më tani ka shkuar në 9, si dhe janë evidentuar 448 raste.

Zyrtarët e shëndetësisë thanë se personi i prekur nga virusi është nga Uashingtoni, 30 vjeç dhe ndodhet në spital në gjendje të rënduar.

Mësohet se 30-vjeçari kishte udhëtuar nga Wuhan, qyteti kinez ku shpërtheu epidemia. Tashmë ky virus i rrezikshëm është përhapur në Japoni, Tajvan, Korenë e Jugut dhe Tajlandë.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë u ka kërkuar udhëtarëve që të mos vizitojnë Wuhan, ndërsa të gjithë banorët janë duke lëvizur me maska për t’u mbrojtur nga çdo rrezik i mundshëm.

Zyrtarët kinezë kanë paralajmëruar se ekziston mundësia që virusi të ndryshojë, duke ngritur alarmin se mund të ketë një përhapje të mëtejshme të infeksionit. Tajlanda ka njoftuar rastin e katërt të coronavirusit, një grua 73-vjeçare, e cila po ashtu kishte udhëtuar në Wuhan gjatë festave të fundvitit.