Ish-zëvendëskryeministri italian, njëherazi dhe ish-ministër i Brendshëm, Matteo Salvini është nën hetim për shpërdorim detyre nga prokuroria e Romës, i cili e ka dërguar dokumentacionin në gjykatë.

Akuza i referohet 35 fluturimeve shtetërore të konsideruara tashmë si të paligjshme nga Gjykata e Auditorëve, e cila ndonëse e kishte arkivuar çështjen, ia kishte dërguar dokumentet zyrës së prokurorit publik në kryeqytet.

Lajmi i hetimit u bë i ditur nga Corriere della Sera. Gjykata e Auditorëve u interesua për këtë çështje pas një verifikimi të gazetarëve të la Repubblica-s.  salvini mbrohet duke thënë se të gjithë fluturimet I ka bërë në cilësinë e ministrit.

“Kam mësuar se jam nën hetim. Por të gjitha fluturimet e mia kanë qenë për arsye shtetërore, duke nisur nga punët e ministrisë së brendshme e deri tek inaugurimi i kazermave. Nuk kam bërë kurrë fluturime shtetërore për të shkuar me pushime, dicka që shumë të tjerë e kanë kthyer në zakon” , është shprehur lideri i Legas.

Salvini, madje edhe në të kaluarën, gjithmonë e ka mbrojtur veten me pretendimin se nuk i kishte përdorur ato fluturime për qëllime private. Dhe nga Ministria e Brendshme është sqaruar gjithmonë se ish ministrit i ishte dhënë “niveli i parë i mbrojtjes”, i cili i jep të drejtën e fluturimeve shtetërore.