Shënohet viktima e dytë në Itali nga koronavirusi i ri. Bëhet fjalë për një grua në Lombardi. Dyshohet se ajo është infektuar në Codogno.

Mediat italiane shprehen se janë dy raste të reja me virus në veriun e Italisë. Viktima e parë nga koronavirusi ishte një 78-vjeçar, i cili ndërroi jetë në spitalin e Padovës.

Vendi është përfshirë nga alarmi orët e fundit për shkak të zbulimit të një vatre të virusit në Veneto dhe Lombardi. Deri tani numërohen 19 të infektuar që janë konfirmuar nga autoritetet.

Qindra persona të tjerë janë në pritje të analizave për shkak të kontakteve që kanë pasur ditët e fundit me të infektuarit. Një 38-vjeçar është në gjendje të rëndë.

Kryeministri Giuseppe Conte tha se janë marrë masat e duhura për situatën e krijuar. Deri një ditë më parë në Kinë numri i viktimave numërohej në 2345 dhe mbi 76 mijë të infektuar.