Shkon në 11 numri i viktimave në shpërthimin që tronditi Stambollin. Një shtetas gjerman ndërroi jetë gjatë orëve të fundit në spital.

Lajmi është komunikuar nga autoritetet turke, por edhe nga ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas De Maiziere, i cili udhëtoi drejt Turqisë për shkak të incidentit.

Burime zyrtare kanë raportuar gjithshtu se dy shtetas të tjerë gjermanë vijojnë të mbeten në gjendje të rëndë.

Thomas De Maiziere, fillimisht ka vizituar spitalin në të cilin ndodheshin të plagosurit e incidentit tragjik, ku u shoqërua nga Kryeministri i vendit, Ahmet Davutoglu. Më pas, ai u takua me homologun e tij, Efkan Ala.

Gjatë konferencës së mbajtur për shtyp, ministri i Brendshëm turk, komunikoi se autoritetet kishin arrestuar një person që mund të ketë lidhje me shpërthimin. Ndërkohë, De Maiziere, gjatë fjalës së tij tha se sulmi nuk i kishte si objektiv krysor shtetasit gjermanë, teksa shtoi se qytetarët e vendit të tij, mund të udhëtojnë lirisht drejt Turqisë.