Stuhi dhe rrebeshe të fuqishme shiu solli tajfuni Faxai që goditi gjatë orëve të fundit Tokion. Një grua humbi jetën dhe rreth 30 të tjerë u plagosën, si pasojë e dëmeve që shkaktuan erërat e forta që arritën një shpejtësi maksimale prej 210 kilometrash në orë.

Pamjet tregojnë dëmet e mëdha që ka shkaktuar në infrastrukturë jo vetëm në kryeqytetin japonez, por edhe në zonat pranë. Dëmtimi i linjave dhe paneleve diellore për prodhimin e elektricitetit ka lënë pa energji mbi 900 mijë banorë.

Erërat e forta shkaktuan edhe aksidente rrugore, bllokime të sistemit të metrove, si dhe anulimin e të paktën 130 fluturimeve. Tajfuni, i konsideruar si më i fuqishmi në dekadën e fundit, përshkoi javën e kaluar edhe gadishullin korean.