Të paktën katër persona janë plagosur pas një sulmi me thikë në një supermarket në qytetin Dunedin në Zelandën e Re.

BBC raporton se tre prej tyre janë në gjendje të rëndë. Lidhur me këtë sulm është arrestuar një person, që dyshohet se është autori dhe tashmë ndodhet në paraburgim ku do të merret në pyetje.

Kryeministrja Jacinda Ardern në një deklaratë për mediat tha se motivi i sulmit ende nuk është i qartë, por shtoi se kanë nisur hetimet për të zbuluar të gjithë dinamikën.

Nga ana tjetër mediat lokale thonë se të plagosurit janë punonjës të supermarketit dhe klientë. Dëshmitarët e ngjarjes kanë deklaruar se ishin terrorizuar dhe në supermarket ishte krijuar kaos.