Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar nga një sulm që ka ndodhur në një hotel në qytetin Kismayo të Somalisë.

Disa persona të armatosur e kanë sulmuar hotelin e fortifikuar Asasey në Kismayo që gjendet rreth 500 km në jug të kryeqytetit Mogadishu, pasi fillimisht një makinë bombë kishte shpërthyer para derës së hyrjes.

Kapiteni i Policisë së Somalisë Mahad Abdia ka thënë se mes personave që janë raportuar të vdekur është një udhëheqës rajonal, disa udhëheqës të fiseve dhe gazetarë.

Dhjetëra zyrtarë rajonalë dhe deputetë kanë arritur t’i shpëtojnë këtij sulmi. Zyrtarët lokalë dhe udhëheqësit e fiseve ishin duke e mbajtur një takim brenda hotelit në prag të zgjedhjeve rajonale që pritet të mbahen në muajin Gusht.

Grupi terrorist Al Shabaab e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm me një deklaratë ku thuhet se ky sulm kishte për shënjestër ministrat e shtetit Jubbaland, ligjvënësit rajonalë, si dhe kandidatët e zgjedhjeve që ishin të pranishëm në hotel.