Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar si Forcën e Mbrojtjes Izraelite ashtu edhe grupet e armatosura palestineze se sulmet ajrore dhe sulmet me raketa në zona civile të populluara- si dhe përdorimi i municioneve nga forcat izraelite të sigurisë kundër protestuesve – mund të përbëjnë krime lufte.

Në një deklaratë të lëshuar në Gjenevë, Michelle Bachelet bëri thirrje për një hetim të pavarur për të gjitha akuzat për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe bëri thirrje për një shuarje të dhunës.

“Gjatë 10 ditëve të fundit, situata në territorin e pushtuar palestinez dhe Izrael është përkeqësuar me një shpejtësi alarmante,” tha ajo.

“Situata në Sheik Jarrah në Jeruzalemin Lindor të okupuar, shkaktuar nga kërcënimet e dëbimeve me forcë të familjeve palestineze; prania e rëndë e Forcave të Sigurisë Izraelite dhe dhuna rreth xhamisë al Aqsa gjatë Ramazanit; përshkallëzimi i ashpër i sulmeve nga dhe mbi Gaza; e nxitja tronditëse e urrejtjes racore dhe dhuna në Izrael; të gjitha kanë çuar në sulme të mbrapshta dhe në rritje viktimash në territorin e okupuar palestinez dhe në Izrael, “shtoi Bachelet, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Ajo i bëri thirrje drejtpërdrejt qeverisë izraelite për të ndërmarrë hapa për të ndaluar dhunën midis kolonëve izraelitë dhe palestinezëve izraelitë në qytetet Lod, Haifa, Jaffa dhe Ramle. Bachelet tha se dhuna dukej e organizuar, duke shtuar se ajo ishte veçanërisht e shqetësuar për raportet se policia izraelite nuk arriti të ndërhynte kur palestinezët ishin “sulmuar me dhunë”.

Ajo gjithashtu dënoi atë që ajo e përshkroi si “retorikë inflamatore” nga të gjitha anët, e cila dukej “se po kërkonte të nxinte tensionet sesa t’i qetësonte ato”.