Me dhjetëra protestues në një qytet në Ukrainë kanë sulmuar autobusët që mbanin të evakuarit nga Kina për shkak të koronavirusit.

Ata u dërguan në një spital në Novi Sanzhary në qendër të rajonit Poltava ku do të mbahen në karantinë për 14 ditë, por gjatë rrugës, ndaj tyre u hodhën fishekzjarre dhe gurë.

Presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky u kërkoi protestuesve që të tregojnë solidaritet. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës deklaroi se shkak për këtë ngjarje është bërë një email fals gjoja nga ministria e Shëndetësisë që thoshte se të evokuarit ishin të infektuar të gjithë me virus.

Autoritetet kanë nisur hetimet për këtë mashtrim, ndërkohë Ukraina nuk ka konfirmuar asnjë rast me koronavirus.