Të paktën tre raketa goditën zonën e fortifikuar të Gjelbër në Bagdad, një prej të cilave ra brenda kompleksit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët irakianë thanë se bëhej fjalë për raketa Katjusha. Ata sqaruan se nuk ka raporte për të lënduar, vetëm për dëme materiale.

Sulmi në zonën që strehon misionet e huaja diplomatike dhe ndërtesën e kryeministrisë, duket se në shënjestër ka pasur pikërisht ambasadën amerikane. Ai vjen pas incidentit të ditës së shtunë, kur të paktën 4 raketa goditën bazën ajrore Balad, duke plagosur një person.

Në këtë bazë është vendosur kompania Sallyport, e cila është kontraktuar të mbështesë flotën irakiane dhe të mirëmbajë avionët luftarakë F16 të prodhimit amerikan. Ndërkohë të martën, një kontraktor amerikan u vra dhe disa civilë u plagosën pas një sulmi me raketa në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Irbilit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka qenë në disa raste shënjestër e sulmeve të tilla gjatë administratës Trump, por ritmi I tyre ra ndjeshëm në javët përpara se Joe Biden të merrte postin e presidentit vetëm për t`u rikthyer së fundi me forcë sërish.