Për xhihadistët dhe familjarët e tyre që shkuan nga Evropa në Siri për t’ju bashkuar ISIS-t dhe që tashmë mbahen në kampet e administruara nga kurdët, presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ka biseduar me evropianët.

Në konferencën e përbashkët me homologun turk, Rexhep Taip Erdogan, Trump theksoi se i ka kërkuar shteteve evropiane që të marrin mbrapsh njerëzit e tyre që ndodhen në kampet siriane, por ato nuk kanë pranuar.

“Kam folur me Evropën për këtë. Mendoj se duhet të na kishin ndihmuar me ISIS-in sepse shumë prej tyre (xhihadistëve) u larguan nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe shtete të ndryshme. Këto shtete duhet të na kishin ndihmuar sepse nëse ata do të lirohen, çka ne do e bëjmë, por nëse ata lirohen, do të duan të kthehen pas në Francë, Gjermani, Britaninë e Madhe dhe në të gjitha ato shtete që nuk po na ndihmojnë. Unë u dhashë mundësinë: Doni t’i merreni mbrapsh? Dhe në mënyrë inteligjente ata thanë “jo, faleminderit”. Por kjo nuk është e drejtë”, u shpreh Trump.

Ndërkohë, në kampet e Sirisë, siç është edhe ai Al Hol, ndodhen edhe shumë shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë. Edhe pse disa shtete në Evropë, siç është rasti i Kosovës, i kanë riatdhesuar me ndihmën e SHBA-së, Shqipëria nuk ka arritur ende të realizojë një operacion të tillë.