Kore e jugut, 18 prill 2014 – Kapiteni i tragetit të mbytur në brigjet e Koresë së jugut nuk po drejtonte mjetin lundrues në momentin kur ndodhi incidenti dhe ishte nga të parët që braktisi anijen kur ajo ishte kthyer në një krah. Mediat koreano jugore e kanë “kryqëzuar” kapitenin 69 vjeçar Lee Joon-seok, që drejtonte tragetin Sewol, me 475 persona në bord, 325 prej të cilëve nxënës shkolle.

Mediat nuk kanë harruar të bëjnë një krahasim me rastin e komandatit Francesco Schettino, që braktisi kroçerën Costa Concordia, ndërsa shumë prej pasagjerëve ndodheshin ende në të.

Sipas një prokurori që po heton çështjen, kapiteni Lee Joon-seok ka zbritur nga mjeti lundrues, ndërsa rreth 300 pasagjerë ndodheshin ende në të.

Ndërkohë numri i viktimave të kësaj tragjedie detare të regjistruar ditën e mërkurë në afërsi të ishullit Byeongpung arrin në 28, ndërsa numri i të humburve është 268. Më shumë se 550 persona janë angazhuar në operacionet e kërkim shpëtimit. Ata po kërkojnë ende për të gjetur trupat e viktimave të tjera, përpara se të ndërhyhet për të nxjerrë tragetin nga thellësia rreth 32 metra ku është mbytur.

Ende nuk është qartësuar shkaku i mbytjes së tragetit. Dëshmitarët tregojnë se kanë dëgjuar një zhurmë të fortë para mbytjes, ndërkohë që kapiteni thotë se nuk është përplasur me ndonjë shkëmb gjatë udhëtimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/