Trump dhe Biden përballë njëri-tjetrit në debatin e fundit

22/10/2020 - 20:37

Presidenti republikan Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish nënpresidenti Joe Biden, debatojnë të enjten në mbrëmje, hera e fundit përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit që gjenden ballë për ballë.

Kandidatët, të dy në të 70-at, ndërprenë vazhdimisht njëri-tjetrin, megjithëse zoti Trump më shpesh se zoti Biden, në debatin e tyre prej mbi 90 minutash në fund të shtatorit, një përplasje që disa ekspertë amerikanë të shkencave politike e përshkruan si debatin presidencial amerikan më të keq ndonjëherë.

Por këtë herë, Komisioni i pavarur për Debatet Presidenciale ka vendosur ta mbyllë mikrofonin e njerit kandidat, ndërsa tjetri flet për dy minuta në përgjigje të pyetjeve për gjashtë çështje që ka zgjedhur moderatorja Kristen Welker e “NBC News”.

Komisioni tha se mendon se nëse as Presidenti Trump as demokrati Biden nuk përpiqen të ndërpresin njëri-tjetrin gjatë komenteve hapëse dy minutëshe, votuesit amerikanë – të paktën ata relativisht të paktë që thonë se janë ende të pavendosur se si do të votojnë – mund të krijojnë një ide më të qartë se në ç’drejtim do ta çojë vendin secili prej tyre kur të marrë detyrën në 20 janar.

Pas dy minutave të përgjigjeve, mikrofonët e kandidatëve do të hapen përsëri dhe një skenar përplasjesh si herën e parë mund të përsëritet. Kandidatët Trump dhe Biden shkëmbyen një varg talljesh, fyerjesh dhe komentesh me thumba ndaj njëri-tjetrit, me ndërprerjet që e bënin të vështirë here pas here për shikuesit që të ndiqnin shkëmbimet.

Shumë gjëra kanë ndryshuar midis debatit të parë dhe atij të së enjtes, i cila mbahet një një sallë debatesh në Universitetin Belmont në Nashville, Tenesi.

Një debat i dytë i planifikuar për javën e kaluar u anulua pasi zoti Trump u prek nga koronavirusi dhe u shtrua në spital për tre net. Kjo e bëri komisionin të vendoste që kandidatët të debatonin virtualisht, por zoti Trump refuzoi dhe takimi u anulua.

Çka është më e rëndësishme, miliona amerikanë tashmë kanë vendosur në lidhje me zgjedhjet, me më shumë se 43 milion njerëz që kanë hedhur votën here me postë ose personalisht. Shumë kanë thënë se gjatë pandemisë së pakontrolluar të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, ata donin të shmangnin kontaktin me votuesit e tjerë në radhët e gjata të pritshme në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve.

Shumë votues demokratë që favorizojnë Biden thanë se dëshironin të ishin ndër të parët që votuan për të larguar zotinTrump, duke e bërë atë presidentin e tretë në detyrë të Shteteve të Bashkuara në katër dekadat e fundit, që do të humbiste garën për rizgjedhje për një mandat të dytë.

Votuesit republikanë shpesh u kanë thënë anketuesve dhe gazetarëve se ata synojnë të votojnë personalisht në ditën e zgjedhjeve, siç ka qenë traditë për dekada në zgjedhjet kombëtare amerikane. Debati i së enjtes mund të jetë shansi i fundit më i mirë për zotin Trump, që të ulë epërsinë e zotit Biden në sondazhet kombëtare.

Demokrati Biden, me gati një gjysmë shekulli në skenën politike amerikane si senator amerikan dhe ish-nënpresident në administratën e ish-Presidentit Barack Obama, mban një epërsi prej 9 ose 10 përqind ndaj zotitTrump në sondazhet kombëtare, por epërsia e tij në shtetet që pritet të përcaktojnë rezultatin e përgjithshëm është sa rreth gjysma e asaj të përgjithshme.

Gazetarja Welker e televizionit NBC thotë se ajo do t’i pyesë kandidatët në lidhje me përpjekjet e tyre për të kontrolluar koronavirusin që ka shkaktuar vdekjen e 221,000 vetëve në Shtetet e Bashkuara. Temat e tjera do të përfshijnë familjet amerikane, çështjet racore në SHBA, ndryshimin e klimës, sigurinë kombëtare dhe udhëheqjen.

Në një intervistë në Fox News të martën, Presidenti Trump sulmoi moderatoren Welker si “plotësisht e politizuar” dhe sulmoi Komisionin e Debateve si të njëanshëm kundër tij. Presidenti tha se nuk është i kënaqur me vendimin për të mbyllur mikrofonët e kandidatëve gjatë deklaratave hapëse dy minutëshe dhe pretendoi se debati duhej të ishte përqëndruar në politikën e jashtme në vend të pandemisë së koronavirusit dhe çështjeve të tjera të politikës së brendshme.

Zoti Trump ka vazhduar fushatën me tubime të mëdha të mbështetësve këtë javë, duke velrësuar energjinë që ai beson se ato i shtojnë fushatës së tij dhe duke besuar se ato janë thelbësore për të fituar një mandat të dytë. Zoti Biden, ndërkohë, ka qëndruar larg syve të publikut që nga fundjava e kaluar, në shtëpinë e tij në shtetin lindor të Delaware për t’u përgatitur për debatin.

Fushata Trump ka premtuar të përballet me Biden për një çështje që mungoi në debatin e parë – akuzat se djali i Bidenit, Hunter përdori lidhjet e babait të tij ndërsa ishte nënpresident për të bërë marrëveshje fitimprurëse biznesi në Ukrainë dhe Kinë.

Bill Stepien, menaxheri i fushatës së Trump, tha në një deklaratë këtë javë, “Nëse media nuk do t’i bëjë Joe Biden këto pyetje, presidenti do t’i bëjë dhe Biden nuk do t’i shamget dot”.

Zoti Biden i ka quajtur pyetjet në lidhje me djalin e tij “një fushatë shpifjesh”, por nuk i ka adresuar publikisht akuzat specifike në lidhje me marrëveshjen e Hunter Bidenit, përfshirë fakttin që ishte anëtar në bordin e një kompanie ukrainase të gazit natyror për të cilën, sipas mediave amerikane , ai paguhej 50,000 dollarë ose më shumë në muaj.

Nuk dihet se si mund t’u përgjigjet Biden pyetjeve në lidhje me transaksionet financiare të djalit të tij është diçka, dhe nëse aido të ngrejë pyetje në lidhje me shumat e mëdha që korporatat dhe qeveritë e huaja kanë shpenzuar për qëndrime në hotel dhe loja golfi në pronat e zotit Trump gjatë presidencës së tij.

Aaron Kall, një trajnues debatesh në Universitetin e Miçiganit, tha se rezultati i debatit është “edhe këtë radhë shumë më i rëndësishëm për Presidentin Trump”. Zoti Kall tha se Presidenti Trump “ka më pak hapësirë për gabim” sepse ndarjet partiake dhe votimi i parakohshëm kanë lënë më pak votues të pavendosur sesa në disa zgjedhje të fundit presidenciale të SHBA – ndoshta më pak se 5% të elektoratit, sipas sondazheve kombëtare.

“Trump do të ketë pritshmëri më të ulëta për këtë debat duke pasur parasysh sa dobët doli herën e parë” në shtator, tha zoti Kall.

“Nëse ai bën një paraqitje të mirë, kjo mund ta largojë koronavirusin nga titujt e mediave të paktën për një periudhë të shkurtër kohe.”

Sa i përket zotit Biden, profesori Kall tha se “Duke pasur parasysh epërsinë e tij të vazhdueshme në sondazhe, Biden nuk ka nevojë të ofrojë një paraqitje të jashtëzakonshme ose diçka të tillë. Fushata e tij është e kënaqur me gjendjen e garës aktualisht dhe do të ishte e lumtur me një zgjatje të pacaktuar të kësaj gjendjeje”.

Por ai shtoi se “ashtu si gjatë debatit të fundit, ai duhet të ruhet nga ndonjë gafë e madhe që mund të ndryshojë tonin e garës në një moment kritik.”/ VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, paraqiti të martën emërimet për anëtarët e parë të kabinetit të tij, që përfshijnë ish-zëvendë

Pandemia COVID-19 vijon të përhapet me ritme të shpejta në të gjithë botën, duke detyruar shumë shtete që të rikthejnë masat kufizuese.

"Kemi frenuar qarkullimin e virusit”. Janë fjalë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron në nisje të një mesazhi që mbajti LI

Austria planifikon të nisë fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në muajin janar, ka thënë Ministri i Shëndetësisë në këtë vend, Rud

Një vaksinë për Covid-19 e prodhuar nga Universiteti britanik i Oksfordit dhe firma farmaceutike AstraZeneca ka treguar rezultate të mira

Vijon të vijnë shifra tepër negative nga Italia për sa i përket pandemisë së koronavirusit.

Kryetari i parë dhe vetëm me ngjyrë në bashkinë e New York, David Dinkins, ka ndërruar jetë sot në moshën 93 vjeç.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi sot një kontratë me kompaninë amerikan “Moderna” për furnizimin deri në 1

Policia franceze shkatërroi me dhunë një kamp të improvizuar të emigrantëve duke u përplasur me ta dhe aktivistët që i mbështesnin.

Ish-Sekretari Smerikan i Shtetit, John Kerry, do të përfshihet sërish në administratën e lartë të presidencës së Joe Biden.