Avokati i Donald Trump i ka paguar një ylli pornografik 130.000 dollarë që të mos flasë publikisht me gjasë për aferën me presidentin e sotëm amerikan, Donald Trump.

Sipas Wall Street Journal, që bazohet në burime anonime, avokati i Donald Trump i ka derdhur paratë në vitin 2016. Ndërkohë Trump duket se e ka takuar 38-vjeçaren, Stephanie Clifford në vitin 2006 në një kampionat golfi në Lake Tahoe, një vit pas martesës me Melania Trump. Takimi intim me Clifford, me nofkën “Stormy Daniels”, është zhvilluar më vonë.

Michael Cohen, avokati i Trumpit i ka ndërmjetësuar paratë një muaj para zgjedhjeve, pasi ai kishte arritur të negocionte një ujdi për të mos folur publikisht, thotë Wall Street Journal. Clifford duket se ka qenë në bisedime me ABC News për të folur publikisht për aferën. Nuk dihet nëse Trump ka pasur dijeni për livrimin e parave.

Edhe më parë presidenti Trump ka mbushur kryetitujt e gazetave për tema të tilla. Gjatë fushatës presidenciale u shfaq një video e vitit 2005, ku Trump krenohej se mund t’i prekësh femrat në kofshë pa ndonjë problem. Disa gra e kanë akuzuar Trump për ngacmime seksuale. Por Trump ka deklaruar disa herë, se akuzat ndaj tij janë gënjeshtra. /DW/