Trumpi shton presionin ndaj pronarëve të aplikacionit kinez TikTok dhe synon shitjen e tij tek kompanitë amerikane. Microsoft mund të dalë fitues i lumtur nga përleshja politike mbi aplikacionin.

Me urdhërin, i cili do të hyjë në fuqi brenda 45 ditësh, Presidenti amerikan Donald Trump, u ndalon amerikanëve të bëjnë biznes me Bytedance, pronarin kinez të TikTok-ut. Aplikacioni i videos paraqet një “kërcënim” për sigurinë kombëtare, thuhet në një urdhër. Aplikacioni mbledh sasi të mëdha të dhënash të përdoruesve dhe i mundëson  Partisë Komuniste Kineze të spiunojë amerikanët, thuhet në të. Trumpi kërkoi kohët e fundit që aplikacioni t’i shitej një kompanie amerikane. Me urdhrin e tanishëm ai duket se po e ngul këmbë për këtë. Nëse urdhri nuk shpallet i pavlefshëm nga gjykata, TikTok-u për 45 ditë nuk do të jetë më i disponueshëm në SHBA.

Trump u ndaloi qytetarëve amerikanë të bëjnë biznes edhe me aplikacionin kinez të mediave sociale WeChat ose pronarët e tij. Ky urdhër gjithashtu do të hyjë në fuqi brenda 45 ditësh për arsye të sigurisë kombëtare, tha ai. Urdhri mund të çojë në një ndalim të aplikacionit në Shtetet e Bashkuara. Aplikacioni i kompanisë Tencent Holdings është jashtëzakonisht i popullarizuar në Kinë, por ka përdorim të kufizuar në Shtetet e Bashkuara. Aplikacioni u ofron përdoruesve shërbimet e një rrjeti social, shërbimin e dërgimin të mesazheve dhe një shërbim pagese. Edhe Bytedance dhe Tencent deri tani nuk i kanë komentuar masat. Aksionet e Tencent tani kanë rënë me më shumë se katër përqind.

Përshkallëzim i marrëdhënieve të tensionuara

Qeveria në Pekin i kritikoi urdhrat e presidentit amerikan me fjalë të ashpra. Ky është një akt “manipulimi dhe shtypjeje politike arbitrare”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze në një konferencë për shtyp. Sidomos ndalimi i TikTokut do të jetë disavantazh për përdoruesit dhe kompanitë në SHBA.

Veprimi i Trumpit shënon vërtet një përshkallëzim të ri në marrëdhëniet e tensionuara me Pekinin. Gjigandi i softuerëve Microsoft u pozicionua pas presionit masiv politik nga Shtëpia e Bardhë dhe deklaroi se do të marrë përsipër biznesin amerikan të TikTokut. Kompania planifikon të negociojë një marrëveshje me Bytedance deri në mes të shtatorit. Operacionet e TikTokut në Kanada, Australi dhe Zelandën e Re pritet të jenë gjithashtu pjesë e marrëveshjes, tha Microsoft. Evropa nuk u përmend.

Microsoft thotë se dëshiron të sigurojë që të gjitha të dhënat personale të qytetarëve amerikanë të transferohen në Shtetet e Bashkuara dhe të mblidhen vetëm atje. Shtëpia e Bardhë citoi raporte, sipas së cilave aplikacioni ishte shkarkuar 175 milion herë në SHBA.

Fitim për Microsoftin kundrejt Facebook-ut

Microsoft mund të dalë fitues i lumtur nga përleshja politike mbi aplikacionin – kompania e softuerëve nuk ka ende një biznes të vetin në median sociale. Krahas biznesit të tij thelbësor Microsofti u bë mjaft i suksesshëm, sidomos me ofertat e reja Cloud për kompanitë. Në biznesin me konsumatorët kompania shfaqet kryesisht me Xbox-in. Me marrëveshjen për TikTokun gjigandi i Windows papritmas do të bëhej një konkurrencë e vërtetë për Facebookun. Se ç’shumë duhet të paguajë Microsofti për TikTokun është ende e paqartë. Por ajo duhet të jetë një shifër dyshifrore në miliarda./DW