Presidenti amerikan Donald Trump nuk i beson aspak argumenteve se ngrohja globale është shkaktare e zjarreve katastrofike të përvitshme në Kaliforni, siç pretendon administrata lokale e drejtuar nga demokratët.

Ndaj dhe shqetësimit të Sekretarit për burimet natyrore se duhet luftuar ngrohja globale që mos ketë më vatra masive, Tramp iu përgjigj: “Do të freskohet. Mbaje mend”.

Crowfoot: Shpresoj që shkenca të jetë dakord me ju.

Donald Trump: Nuk besoj se shkenca e di këtë aktualisht.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u përfshi në debate me pjesëmarrësit në mbledhje ku veç sekretarit të burimeve njerëzore, ishte i pranishëm edhe Guvernatori Gavin Njuzom nga radhët e demokratëve. Si demokratë, pjesëtarët e administratës lokale mbronin tezën se zjarret janë pasojë e ngrohjes globale. Ndërsa Trump i akuzon ata për keqmenaxhim të pyjeve.

Vetëm në Kaliforni, zjarret i kanë marrë jetën 36 personave që prej Gushtit kur nisën të përhapeshin vatrat e para. Zjarret janë shtrirë edhe në Oregon e Uashington dhe veç pyjeve kanë përfshirë edhe zona të banuara duke detyruar evakuimin e qindra mijëra njerëzve.