Një turiste gjermane u grabit dhe më pas u përdhunua në parkun Villa Borghese, në veri të qendrës së Romës në Itali.

Policia në Catania tha se brenda 24 orësh arrestuan një burrë të akuzuar për përdhunimin e doktoreshës tek e cila ai kishte shkuar për të kërkuar ndihmë. Raportohet se ajo ishte lidhur dhe përdhunuar në një park, gjatë natës.

Këto lajme vijnë pas një valë përdhunimesh të raportuara në të gjithë vendin, duke bërë që kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi, ta quajë muajin që po lëmë pas “një shtator të zi për Italinë.”

Sulmet vijnë pas një rasti në Firence ku dy studente amerikane thanë se ishin sulmuar seksualisht nga dy karabinierë pasi policiët u ofruan që t’i dërgonin ato në shtëpi, ndërsa turistet po ktheheshin nga një disko. Më herët në gusht, një turiste polake pretendonte se ishte përdhunuar në grup dhe se partneri i saj u rrah brutalisht në një plazh në Rimini, një destinacion i preferuar për turistët.