Të paktën katër persona, mes tyre një grua bashkë me foshnjen e saj kanë mbetur të vdekur si pasojë e uraganit Florence që ka goditur bregun e Karolinës së Veriut. Edhe pse uragani u dobësua në një stuhi të kategorisë së parë, sërish kishte fuqinë për të dhënë goditje vdekjeprurëse.

Viktimat e para u shënuan në Wilmington, ku rrëzimi i një peme në pjesën e pasme të një shtëpie, zuri poshtë një familje, ku edhe humbën jetën gruaja dhe foshnja ndërsa babai ndodhet në gjendje të rëndë.

Një tjetër grua humbi jetën pasi kishte probleme mjekësore dhe pas thirrjes për ndihmë, shërmbimet spitalore nuk ia kishin dalë ta ndihmonin për shkak të pemëve që kishin bllokuar rrugët. Ndërsa personi i katërt, një burrë i moshuar humbi jetën duke mbyllur një gjenerator.

Rreth 600 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe gati gjysëm milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.