Maurice Robinson, shoferi i kamionit ku u gjetën 39 emigrantë të vdekur, është deklaruar fajtor.

25-vjeçari, i akuzuar si përgjegjës për vdekjen e emigrantëve, burra, gra dhe fëmijë, ka deklaruar para gjykatës se ishte palë e një organizate që bënte kalimin e emigrantë në mënyrë të paligjshme përkundrejt pagesave.

Ai pohoi se kishte marrë para për të bërë transportin e emigrantëve në një kamion frigoriferik, rrugëtim ky që rezultoi fatal për ta.

Trupat e 8 femrave dhe 31 meshkujve u zbuluan në pjesën frigoriferike të kamionit në një park industrial në Grays, Essex, më 23 tetor të këtij viti.

Viktimat u identifikuan si të ardhur nga provinca të ndryshme të Vietnamit, mes tyre edhe dy djem të moshës 15-vjeçare.