Anketimet në Gjermani e nxjerrin Partinë Socialdemokrate pas Alaternativës për Gjermaninë. Mos është ky fundi i Partisë së madhe SPD? Sistemi partiak gjerman po pëson ndryshime dramatike, mendon Felix Steiner.

“Alte Tante” (tetoja plakë) kështu e quajnë me dashuri prej shumë dekadash gazetarët dhe anëtarët e partisë socialdemokracinë gjermane. Por kjo nofkë nuk i ka shkuar kurrë aq mirë sa sot. Tetot plaka janë të lezetshme, kanë shumë gjëra për të rrëfyer nga e kaluara, i ke për ndonjë sherry apo ndonjë copë keku të bërë vetë me mollë, por për ndonjë gjë tjetër? Askush nuk i merr aq seriozisht, sepse janë ca demode. Dhe veç kur vjen një ditë e ato nuk janë më.

Traditat dhe meritat historike nuk janë kategori në biznesin politik. Një parti dhe kandidatët e saj do të zgjidhen, sepse në të ardhmen pritet diçka prej tyre. Sepse ofrojnë synime të qarta dhe drejtim. Dhe edhe sepse ata i kuptojnë problemet dhe hallet e zgjedhësve të tyre. Por të gjitha këto aftësi SPD-së ka vite që i mungojnë.

Kur injoron hallet e votuesve

Sipas të gjitha sondazheve, tema e migracionit dhe e refugjatëve është tema që i shqetëson më së shumti gjermanët. Klientela klasike e SPD-së, e cila nuk hyn te më të kamurit e vendit, është në hall për banesa të pagueshme të cilat nëpër qytete thuajse nuk ekzistojnë. E ç’bën partia?

Partia e vë bashkimin famljar të refugjatëve si temën kryesore të negociatave për koalicion! Dhe kështu del në pah se përse perëndimi i SPD-së vjen në të njëjtën kohë me ngritjen e AfD-së së djathtë – dhe shpesh në ato zona elektorale, në të cilat SPD-ja dikur kishte qenë vërtet e fuqishme. Kjo nuk duhet të mbetet gjithmonë kështu.

Që sondazhe të tilla që bëhen çdo javë reflektojnë atmosferën aktuale  – më mirë se SPD-ja këtë nuk e di askush? Vetëm para një viti entuziazmi për gjysme magjistarin Martin Schulz ishte i jashtëzakonshëm..

Por një gjë është e qartë: zgjedhje të reja në këtë moment do të ishin katastrofale për SPD-në. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe ata që nuk e mbështesin koalicionin me CDU-në dhe bëjnë thirrje të votohet kundër tij duke besuar se ripërtëritja e partisë mund të bëhet vetëm në opozitë. Kjo nuk ka kuptim fare. Unioni Demokristian po e demonstron këtë më së miri. Asnjë anëtar i kësaj partie nuk është i gatshëm të heqë dorë nga qeverisja, megjithëse edhe aty shumëkush e ka kuptuar se kursi i Angela Merkelit nuk siguron më shumica të mjaftueshme.

Mundësia e ripërtëritjes në qeveri

Por emërimi i Annegret Kramp-Karrenbauerit si Sekretare e Përgjithshme tregon edhe diçka: Kjo pasardhëse e mundshme e Angela Merkelit sigurisht që nuk do të sjellë një kurs komplet të ri. Por pritet që ajo t’u mëshojë më shumë disa aspekteve konservatore, të cilat Unionit Demokristian i kanë munguar me Angela Merkelin.

Në këtë moment nga zgjedhjet e reja do të përfitonte vetëm partia djathtiste, Alternativë për Gjermaninë, e cila sipas kreut të saj nuk dëshiron të qeverisë. Dhe pikërisht këtu qendron drama e sondazhit aktual. Partia Socialdemokrate humb shumë pikë, Unioni Demokristian e Kristiansocial nuk fiton, votat e tyre së bashku nuk do të mjaftonin as për një koalicion. Dëgjohet si ironi fati. Një vend kaq i pasur, me mirëqenie dhe lulëzim ekonomik, nuk është në gjendje të gjejë një shumicë parlamentare për të krijuar qeveri.

Vetëvrasje nga frika e vdekjes

Prandaj, nëse anëtarët e SPD-së do të votojnë kundër koalicionit, do të ishte sikur do të bënin një vetëvrasje nga frika se mos vdesin. Prandaj. të dashur shoqe dhe shokë: Merrni guxim dhe kini besim te vetja! Bashkëqeverisni dhe tregoni se ç’jeni në gjendje të bëni. Dhe qëndroni pas sukseseve tuaja – sepse ashtu do t’ju shpërblejnë sërish edhe zgjedhësit.

Partia Socialdemokrate e ka bërë njëherë një gabim të rëndë, në vitin 1990, kur anëtarët e saj nuk donin të pranonin në gjirin e tyre ish-anëtarë të partisë shtetërore të RDJ-së, SED. Këtë gabim ata po e vuajnë edhe sot e kësaj dite, në formën e ekzistencës së partisë rivale E Majta, që ka pasur më shumë se 10 për qind të elektoratit. Një gabim të përmasave të ngjashme partia nuk do ta përballonte dot. Dhe kjo do të ishte atëherë me të vërtetë vdekja e tetos plakë, SPD. /Deutsche Welle/