Për momentin nuk do të ketë investime të reja. Mund të ketë për ato të domosdoshme, por kjo është tjetër punë. Veç atyre nuk do të ketë”, kështu ka deklaruar Presidenti turk Erdogan.

Pas 15 vitesh ‘boom’ në sektorin e ndërtimit, qeveria në Turqi ka ngrirë të gjitha projektet e investimeve. Duke njoftuar vendimin, Erdogan ka deklaruar se synimi është kursimi i të ardhurave dhe parandalimi i rritjes së inflacionit dy shifror.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi Banka Qendrore rriti normat e interesit me 6.25 për qind, çka është një tregues i qartë se qeveria duhet të pezullojë projektet për ndërtimin e urave, porteve dhe aeroporteve të mëdha, që kanë karakterizuar Turqinë nën qeverisjen e Erdogan.

Presidenti i parë me pushtet ekzekutiv i Turqisë ka saktësuar se projektet që kanë avancuar deri në 70 përqind do të përfundohen, ndërsa të tjerat do të rishikohen dhe do të vendoset sipas prioriteteve.