Trupi i femrës pa kokë është gjetur në një gji afër Kopenhagës ku policia daneze e kërkonte gazetaren suedeze Kim Wall, zhdukjen e së cilës e kishte lajmëruar familja e saj.

Trupi pa kokë, këmbë dhe duar u zbulua vetëm disa orë pasi ndërmarrësi danez Peter Madsen (46), i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçares, i kishte thënë policisë sa ajo kishte vdekur, derisa ishte me ta në nëndetësen e tij.

Madsen (46) pohon se Wall kishte vdekur në mënyrë aksidentale dhe se pas kësaj ai e kishte lënë në det, duke ndërruar deklaratën e mëparshme se si ajo ishte gjallë kur kishte zbritur në Kopenhagë. Trupin e kishte vërejtur një çiklist, i cili kishte kaluar nëpër gjirin Koge, pikërisht në vendin ku kishte thënë Maden se e kishte “lëshuar” trupin e gazetares së vdekur.

Wall ishte parë për herë të fundit më 10 gusht në nëndetësen “UC3 Nautilus” të cilën e kishte ndërtuar Madsen, por ai deri të hënën kishte insistuar se mbrëmjen e njëjtë ajo kishte zbritur në kontinent.

Madsen-in e kishte marrë marina daneze më 11 gusht kur nëndetësja e tij ishte fundosur në port. Familja e Kim-it kishte lajmëruar policinë për zhdukjen e saj, ndërsa hetuesit danezë kanë kumtuar se kanë gjetur prova se nëndetësja ishte fundosur me qëllim, me siguri që Madsen t’i fshehë gjurmët e vrasjes, e jo për shkak të prishjes, siç ka pretenduar ai.

Wall ishte gazetare “freelance” suedeze e cila jetonte në dy adresa, në Nju-Jork dhe në Kinë, dhe kishte raportuar për New York Times, Guardian, Time dhe Wise. Në nëndetësen e Madsen-it kishte shkuar në mënyrë që të shkruante një tregim për një ndërmarrës dhe pronarin e një nga nëndetëseve më të mëdha private në botë, të gjatë 18 metra, në të cilën kishte financuar së paku 200.000 dollarë.

Madsen, pas arrestimit i kishte thënë policisë se nuk e kishte vrarë gazetaren, por e kishte zbarkuar në afërsi të restorantit në një ishull të afërt disa orë para fundosjes. Mirëpo, tani e ka ndërruar tregimin, por ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur dhe përse është vrarë Kim. /Express/