Një gazetare është qëlluar për vdekje gjatë akteve të dhunshme në një qytet të Irlandës, ndërsa policia po e konsideron ngjarjen si “incident terrorist”.

Republikanë disidentë fajësohen për vrasjen e 29-vjeçares, Lyra McKee, pas trazirave të shkaktuara si pasojë e kërkimeve policore në zonën Creggan të Derryt gjatë natës së të enjtes. Ndaj patrullave policore që lëviznin me Land Rover janë hedhur bomba molotov.

Zv.shefi i policisë, Mark Hamilton thotë se pas kësaj ngjarjeje, për të cilën detektivët kanë nisur hetimet për vrasje, “me gjasë ka dorë grupi paraushtarak New IRA”.

“Rreth orës 23 të mbrëmjes së djeshme, një agresor i armatosur u shfaq papritur dhe qëlloi disa herë drejt policisë. Lyra McKee, 29-vjeçare, u plagos në vendngjarje. Ajo u dërgua menjëherë për në spital nga automjetet e policisë, por fatkeqësisht ndërroi jetë”, tha ai. 

Dhuna nisi fuqishëm pasi policia bastisi disa shtëpi në zonat Mulroy Park dhe Galliagh.