Një audio përgjim ka zbuluar fjalët e fundit të gazetarit, Jamal Khashoggi, pak momente para vrasjes makabre në konsullatën saudite në Stamboll, gjatë tetorit.

Një burim, i cili lexoi një transkript të përkthyer të regjistrimit, tha se gazetari përsëriti disa herë "Nuk mund të marr frymë", disa momente para vdekjes së tij.

Regjistrimi gjithashtu kapi tingujt e tmerrshëm të trupit të Khashoggi duke u copëtuar me një sharrë, ndërsa vrasësve të tij të dyshuar u ishte thënë të dëgjonin muzikë për të bllokuar zhurmën.

Khashoggi mund të dëgjohet duke bërë rezistencë kundër sulmuesve, të cilët bëjnë një sërë telefonatash në momentin e vrasjes së tij. Zyrtarët turq pretendojnë se u bënë thirrje figurave të larta në Riad.

Transkripti, i ndarë nga CNN, gjurmon momentin kur Khashoggi hyri në konsullatë për të marrë letra që t’i mundësonin martesën me të fejuarën turke Hatice Cengiz, e cila po e priste jashtë tij.

Duhej të ishte një takim i rregullt, por gazetari më pas u përball me një njeri që nuk priste që të ishte në konsullatë. Khashoggi mund të dëgjohej duke e pyetur personin në fjalë, për motivin e vizitës së tij.

Sipas CNN, ai është Maher Abdulaziz Mutreb, një ish-diplomatik saudit dhe zyrtar i inteligjencës që punon për princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman dhe i njohur për Khashoggin nga koha e tyre së bashku në ambasadën saudite në Londër.