Zëvendësministri i Shëndetësisë i Iranit është infektuar me koronavirusin e ri. Zëvëndësministri, Iraj Harirchi, tha në një video se do të izolohet dhe do të fillojë mjekimin. Një ligjvënës iranian, Mahmud Sadeghi, gjithashtu rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit.

Në Iran, deri më tani janë raportuar 15 vdekje si 95 raste të të infektuarve me virus. Mirëpo, numri aktual mendohet të jetë më i lartë. Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se rritja e papritur e rasteve në vend është “thellësisht shqetësuese”.

Shumë ekspertë të shëndetësisë kanë thënë se numri që raportohet i të infektuarve nuk është në përputhje me numrin e vdekjeve, që është shumë i lartë. Më shumë njerëz kanë vdekur në Iran nga virusi sesa kudo tjetër jashtë Kinës. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo të martën kërkoi që Irani “të tregojë të vërtetën” për shpërthimin e koronavirusit në vend, duke ngritur alarmin për fshehje të të dhënave.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar thellësisht nga informacionet që tregojnë se regjimi iranian mund të ketë fshehur të dhënat në lidhje me shpërthimin (e virusit) në atë vend”, u tha Pompeo gazetarëve në Uashington. “Të gjitha vendet, përfshirë Iranin duhet të tregojnë të vërtetën në lidhje me koronavirusin dhe të bashkëpunojnë me organizatat ndërkombëtare të ndihmës”, tha ai. /REL