Kandidati për Komisioner të Komisionit të Zgjerimit dhe Fqinjësisë së mirë, Olivér Várhelyi ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Parlamentit Europian për Punë të Jashtme këtë të hënë.

Komisioneri që do të zëvendësojë Johanes Hahn, pritet të nisë detyrën e tij në 1 dhjetor pasi dy grupet më të mëdha politike në Parlamentin Evropian thanë se ata do të mbështesin kandidaturën e tij.

Várhelyi, aktualisht ambasadori i Hungarisë në BE, mori dritën e gjelbër nga anëtarët e komisionit të Parlamentit për punët e jashtme, pasi ai dha siguri për pavarësinë e tij nga kryeministri Viktor Orbán në përgjigje të pyetjeve shtesë nga eurodeputetët.

“Unë nuk do të jem i detyruar dhe as i ndikuar nga ndonjë deklaratë ose qëndrim i ndonjë Kryeministri të ndonjë vendi ose ndonjë përfaqësuesi tjetër të ndonjë qeverie,” shkroi Várhelyi në përgjigjet para anëtarëve të komisionit.

Javën e kaluar, eurodeputetët, veçanërisht ata të grupit Socialistë dhe Demokratët, nuk pranuan të aprovojnë Várhelyi për shkak të shqetësimeve për pavarësinë e tij. Kritikët akuzojnë Orbán për ndërhyrje në Ballkan dhe mbajtjen e një marrëdhënie tepër të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin.