Një avion ushtarak rus me 14 persona në bord është zhdukur nga radarët pasi ka fluturuar në Siri. “Kemi humbur kontaktin me ekuipazhin e një avioni rus Il-20 mbi Detin Mesdhe”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Ngjarja ka ndodhur në 23:00 sipas orës lokale, të hënën.

Incidenti thuhet se ndodhi rreth 35 km nga bregu sirian, pasi avioni Ilyushin Il-20 po kthehej në bazën ajrore ruse të Hmeimim pranë qytetit veri-perëndimor të Latakias. Fati i avionit dhe i personave në bord nuk dihet ende. Një operacion kërkim-shpëtimi është në proces, i koordinuar nëpërmjet personelit të vendosur në bazën Hmeimim, shtoi ministria.

Një zëdhënës ushtarak francez i tha agjencisë së lajmeve AFP se ushtria franceze mohon çdo përfshirje në këtë sulm. 

Megjithatë, një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha se Uashingtoni besonte se avioni u qëllua aksidentalisht nga qeveria siriane, raporton Reuters. Qeveria siriane ende nuk ka komentuar incidentin, por mediat shtetërore siriane folën për një sulm në zonë pak para se avioni të zhdukej.