Që prej të hënës në mbrëmje në malin Serra, që ndan provincat e Pisës dhe Lucca-s në Toscana të Italisë, ka rënë një zjarr masiv.

Zona më e prekur, sipas mediave fqinje është ajo e Calci, në provincën e Pisës, ku kryebashkiaku Massimiliano Chimenti ka urdhëruar evakuimin e rreth 500 personave.

Alarmi u dha mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:00 teksa zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta, duke u afruar deri në zonat e Montemagno, San Lorenzo dhe La Torre.

Në përpjekje për të shuar flakët, në zonë ndodhen forca të shumta zjarrfikëse dhe disa skuadra vullnetarësh.

Mediat italiane shkruajnë se autoritetet vendore kanë kërkuar ndihmën e forcave zjarrfikëse të qyteteve të tjera si Livorno, Pistoia, Lucca, Massa, Firenze dhe Arezzo.

Për të strehuar personat e evakuuar, autoritetet kanë hapur palestrën dhe komunën në Calci.