Zjarret që kanë shkrumbuar Kaliforninë dhe pjesë të tjera të brigjeve perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë më të mëdhenjtë në 18 vite, me tymin e tyre që ka mbuluar pjesë të gjera të Amerikës së Veriut e madje ka mbërritur edhe Evropën Veriore – thanë shkencëtarët të mërkurën.

Zjarret që nisën në mesin e gushtit në Kaliforni dhe Kolorado janë më intensivë se mesatarja e atyre të viteve 2003-2019 në të gjithë vendin dhe në shtetet e prekura, sipas të dhënave të shërbimit evropian të monitorimit të atmosferës Copernikus. Oregoni dhe Uashingtoni kanë parë zjarre serioze të shpërthejnë që nga fillimi i shtatorit, pas të nxehtit të kohëve të fundit dhe kushteve të thata dhe me erë. Shkencëtarët kanë përdorur vëzhgimet nga satelitë për të monitoruar aktivitetin e zjarreve në botë.

Këtë vit, aktiviteti i tyre në SHBA ka qenë dhjetëra e qindra herë më intensiv se mesatarja nga viti 2003-2019 në të gjithë vendin por edhe në shtetet e prekura më shumë – thonë ata.

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën nga zjarret vetëm në Kaliforni, që nga gushti. 10 viktima janë regjistruar në oregon dhe 22 të zhdukur po ashtu. Zjarret kanë emetuar afërsisht 21.7 megatonë karbon në Kaliforni, 7.3 megaton në Oregon dhe 1.4 megatonë në Uashington. Pjesë të bregut perëndimorë kanë tani cilësinë më të keqe të ajrit në botë.