Zona përreth Santa Barbarës në jug të Kalifornisë është shndërruar në ferr, nga zjarret që përhapen me ritme të shpejta prej 7 ditësh.

Autoritetet kanë evakuuar deri më tani një numër tepër të madh banorësh, rreth 200 mijë, pasi flakët kanë djegur mijëra shtëpi në disa zona të banuara.

Flakët janë përhapur në një sipërfaqe tepër të madhe prej 930 kilometrash katrorë, një hapësirë sa Nju Jorku. Vatrat e zjarrit janë me qindra. Pavarësisht angazhimit të mijëra zjarrfikësve, zjarret po favorizohen nga erërat e thata dhe të forta me shpejtësi maksimale 80 km/orë. Sipas përllogaritjeve, çdo ditë zjarret zgjerojnë sipërfaqen me 202 kilometër katrorë.

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli të premten gjendjen e emergjencës në Kaliforni. Pak javë më parë, zjarret e shpërthyera në veri të këtij shteti federal i morën jetën 44 personave dhe shkrumbuan 8 900 shtëpi.