Burim Kukeli dëmtohet dy javë përpara Serbisë

23/09/2015 - 12:40

23 shtator 2015 - Kur kanë mbetur vetëm dy javë nga sfida me Serbinë, Shqipëria është në ankth. Burim Kukeli pësoi një dëmtim në ndeshjen e Superligës Zvicerane, ku skuadra e tij Zurich barazoi pa gola në fushën e Luganos.

Mesfushori pësoi një lëndim muskulor dhe u detyrua të largohej nga fusha vetëm pas 34 minutave lojë. Lojtari u largua nga fusha me barrelë, duke alarmuar për gjendjen e tij. 31-vjeçari do t’i nënshtrohet menjëherë kontrolleve të specializuara për të vlerësuar llojin e dëmtimit dhe për të përllogaritur kohën që do t’i nevojitet të rikthehet të luajë. 

Stafi mjekësor i klubit zviceran ende nuk ka dhënë detaje përsa i takon gjendjes së Kukelit, ndërsa mendohet që minimalisht ai do të humbasë ndeshjen e radhës, të dielën më 27 shtator, ku Zurich do të jetë i impenjuar në fushën e Luzern-ës. 

Gjendja e lojtarit do të monitorohet me kujdes edhe nga stafi i Kombëtares. Mesfushori është një element mjaft i rëndësishëm për përfaqësuesen kuqezi. Burim Kukeli ka qenë zgjedhja e parë e trajnerit De Biasi në qendër të mesit të fushës. Një regjizor i mirëfilltë përpara mbrojtjes, i aftë të ndërtojë aksione, të vertikalizojë, por edhe të hyjë në duele me kundërshtarët.

Gjatë këtij edicioni në kualifikueset e Euro 2016, përveç ndeshjes së parë të fituar në Portugali, ku u zëvendësua pas 66 minutave lojë, Kukeli ka qendruar gjatë gjithë kohës në fushë. Në pritje të lajmeve nga Zurich-u për gjendjen e mesfushorit, alternativat e tjera për De Biasin në formacionin titullar janë Migjen Basha dhe Ergys Kaçe, ndërsa në skuadër mund të rikthehet edhe Alban Meha që në këtë start sezoni ka shkëlqyer në Turqi me Konyaspor.

/portali DurresLajm/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: