Cara: Bashkia, mungon transparenca për fondet

13/01/2012 - 00:00

Në një intervistë për gazetën “Dyrrah” kreu i Partisë Demokratike në Durrës z Igli Cara komentoi zhvillimet politike në qytetin bregdetar, duke u fokusuar në atmosferën e krijuar në Këshillin bashkiak të Durrësit, raportet ndërmjet të djathtëve dhe të majtëve në këtë Këshill si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me ndryshime në institucionet drejtuese të Durrësit, Deputeti Cara ka folur gjithashtu edhe për investimet në qytetin bregdetar. Për herë të parë në gazetën “Dyrrah” kryetari i PD-së së Durrësit ka konfirmuar ndryshime të mundshme në institucionet e qytetit.

Nga ana e krerëve të bashkisë së Durrësit ka pasur akuza për bllokim të Këshillit Bashkiak nga ana e këshilltarëve të djathtë dhe tentativa për shtyrje të qëllimshme miratimit buxhetit. Cili është komenti juaj duke ju referuar dhe çështjes së miratimit të Këshillit të Kulturës, paketës fiskale etj?

Faleminderit për pyetjen e drejtpërdrejtë që po më bëni, por meqenëse ky është numri i parë i gazetës tuaj për këtë vit, fillimisht do doja të bëja një urim për një vit të mbarë për të gjithë qytetarët e Durrësit. Uroj më shumë punë, shëndet dhe suksese në çdo familje durrsake. Më shumë gëzim e mbarësi në çdo shtëpi të qytetit, më shumë dashamirësi dhe mirënjohje për të moshuarit dhe prindërit tanë, më shumë dashuri dhe përkujdesje në rritjen dhe edukimin e fëmijëve tanë, më shumë punë për të rinjtë dhe më shumë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri për politikanët dhe administruesit e qytetit. Dhe për ju një urim të veçantë për punën tuaj fisnike si gazetë e qytetit të Durrësit dhe më gjerë.

Tani po i kthehem pyetjes tuaj. E kam dëgjuar këtë akuzë të kreut të bashkisë Durrësit, e cila është jo vetëm pjesë e retorikës së partisë që ai përfaqëson, por dhe e mungesës totale të transparencës së punës të institucionit që ai drejton. Në fakt Dako nuk e ka të lehtë të na tregojë se çfarë bën me paratë e taksapaguesve durrsakë.

Por në respekt të qytetarëve po bëj sqarimet e mëposhtme: 

Së pari, nuk është në filozofinë e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të bllokojnë qeverisjen, reformat e qeverisjes; e aq më pak të bllokojnë buxhetin e qytetit pa arsye. (Të gjithë shqiptarët kanë parë për dy vite më radhë bllokimin e reformave në vend nga Rama dhe PS, dhe për më tepër nuk kanë harruar që Rama duke mos dashur të përballet me këshillin bashkiak mbante Tiranën pa buxhet, më kundërshtim të plotë me ligjin). 

Së dyti, qytetarët janë dëshmitarë të faktit që z. Dako ka hyrë në vitin e pestë të administrimit të qytetit dhe megjithëse PD dhe aleatët e saj kanë mazhorancën në këshill, nuk e kanë bllokuar asnjëherë të vetme buxhetin e qytetit. Për vitin 2010, besoj të gjithë e kujtojnë miratimin e të gjithë projekteve të investimeve në qytet nga këshilli bashkiak, me paratë që vinin nga grantet e qeverisë dhe të ardhurat e bashkisë. Z. Dako jo vetëm ia atribuoi vetes meritat, por i tenderoi dhe tek miqtë e tij të tavolinës.

Së treti, anëtarët e këshillit bashkiak kanë marrë votën e qytetarëve për atë funksion dhe e kanë për detyrë të bëjnë analiza si shpenzohen paratë, ku dhe si adresohen fondet publike në investime dhe për më tepër të kërkojnë dhe ristrukturim të zërave dhe priorioteteve të buxhetit të paraqitur nga bashkia. Në këtë kontekst duke iu referuar pyetjes tuaj për këshillin kulturor dhe paketën fiskale është krejt normale që anëtarët e këshillit bashkiak para se të votojnë të ngrenë pyetje dhe të kërkojnë raporte. A mund të më thotë dikush pse kanë kaq frikë të raportojnë për aktivitetin e Këshillit Kulturor dhe për më tepër çfarë lidhje ka kjo me emrat? (si gazetar i vjetër kërkoni proces-verbalet e këshillit kulturor, projektet që konkurrojnë, projektet fitues, etj., ku dhe si shkojnë fondet, ka shumë për të pyetur).Përsa i përket paketës fiskale, anëtarët e të djathtës presin analizën dhe më pas mund të votojnë. Dako duhet të ketë të qartë që këshillin bashkiak nuk mund ta përdorë për tavolinën e interesave të tij.

Cili është opinioni juaj në lidhje me performancën e bashkisë së qytetit. A mendoni se po mbahen premtimet e bëra në fushatë?

Besoj se ju i referoheni mandatit të dytë të z. Dako dhe për të qenë i saktë kanë kaluar vetëm 7 muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, gjithsesi në se do të komentojmë vitin 2011 në tërësi ai është shumë i dobët në të gjitha aspektet. Për më tepër kryebashkiaku mungon në mbledhjet e këshillit bashkiak, mungon në takimet dhe diskutimet që kryetari i këshillit bën me grupet e interesit dhe publikun, mandat më i keq se i pari duket të jetë.

Z. Dako ka deklaruar se ka një limitim të fondeve të Bashkisë së Durrësit nga ana e qeverisë shqiptare, përfshi këtu dhe pasojat nga ligji i ri për menaxhimin e territorit. Si i vlerësoni marrëdhëniet midis pushtetit lokal dhe atij qendror në Durrës?

Nuk ja vlen që ju të citoni Dakon, sepse shifrat janë transparente dhe si gazetar mund t’i verifikoni në çdo rast, buxhetet janë dokumente publike për çdo qytetar. Për vitin 2011 grantet e pakushtëzuara (që jepen nga qeveria) kanë qenë rreth 380 milionë lekë, ndërsa për vitin 2012 janë 393 milionë lekë dhe kush nuk kupton numrat, mashtron. Secili nga ne do të donte më shumë, por nga njëra anë 2012 nuk është vit i lehtë për gjithë Evropën, nga ana tjetër Dako dhe drejtorët e tij duhet të punojnë, të mbledhin të ardhura dhe të rrisin eficiencën e investimeve dhe të fondeve në qytet.

Flitet për ndryshime në drejtimin e disa institucioneve në Durrës. A ka realisht ndryshime dhe mbi ç’baza bëhen ato?

Ne kemi hyrë në vitin e shtatë të qeverisjes dhe është normale që të kërkojmë një performancë më të mirë në disa institucione nga njëra dhe nga ana tjetër, zgjedhjet lokale sollën dhe ristrukturim të raporteve midis forcave në koalicion me PD. Disa sektorë që lidhen me prioritete të programit dhe objektivave tona qeverisëse kanë angazhimin dhe vëmendjen e dikastereve të Tiranës, por dhe të grupit të punës në qark, natyrisht aty ku kërkohet frymë dhe më shumë angazhim do ketë dhe ndryshime.

A mbetet Durrësi një prioritet për qeverinë dhe ku reflektohet kjo në investime?

Durrësi ka qenë dhe do të mbetet prioritet i qeverisë, jo vetëm se është qyteti i dytë më i madh i vendit, por dhe për shkak të pozitës gjeografike. Ju kujtoj që vetëm grantet e pakushtëzuara për bashkinë kanë qenë 10 herë më të larta se ato të qeverisjes socialiste, por dhe investimet në infrastrukturë në të gjithë qarkun në këto vite kanë qenë në disa drejtime. Në mbyllje doja të thosha që ky është një vit i sfidave të mëdha për qeverisjen për të ruajtur rritjen ekonomike, për të plotësuar rekomandimet e Brukselit dhe për të shkuar drejt statusit të vendit kandidat në BE

Disa nga investimet e vitit 2012:

  • Investimi për ujin e pijshëm (afërsisht 1 milion USD vetëm nga ujësjellësi), në fund të vitit nuk do të ketë asnjë shtëpi pa furnizim me ujë mesatarisht 8-10 orë/ditë;

  • Vënia në punë e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza, në total 19,5 milionë euro, 14 milionë euro janë vetëm për Durrësin;

•     Kampusi universitar, në shtator shpresojmë të përfu.ndojmë godina e parë;

•     Përfundimi i unazës së plazhit dhe pjesa e autostradës nga mbikalimi i Shkozetit deri në zonën industriale,

•     Përfundimi i terminalit të trageteve në Portin e Durrësit, 19 milionë euro, 15 milionë euro thellimi, 8 milionë euro kalata;

•     Dy shkolla të reja për bashkinë e Durrësit, shkolla “Bajram Curri”, shkolla e Kënetës, rikonstruksion “Hysen Çela”;

•     Tre shkolla për komunat e qarkut;

•     Shumë të tjera për t’u renditur,

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: