Devoll, arrestohet kreu i Drejtorisë së Shendetit Publik, vodhi 1,7 mln lekë

01/02/2016 - 19:21

Kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik, në Devoll, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Korçës, pasi dyshohet se ka vjedhur 1,7 miljon lekë nga fondet e buxhetit të instituticionit që drejtonte. Valent Nallbati akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Hetimi ndaj tij nisi pas një letre anonime të mbërritur në Prokurorinë e Korçës, ku kallëzohej fakti se nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Devoll ishte zhvilluar një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit. Në kuadër të veprimeve verifikuese, Prokuroria e Korçës konstatoi se godina e Drejtorisë së Shëndetit Publik ishte rikonstruktuar në vitin 2011 dhe ndërkohë nuk po kryhej asnjë punim në të. Në vijim, u konsultua Buletini i Prokurimit Publik, në të cilin u konstatua se ishte kryer procedura e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ishte shpallur edhe subjekti fitues. Vlera e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik në Devoll ishte parashikuar rreth 2,4 miljon lekë, ndërsa rezultonte se kompania fituese kishte dorëzuar ofertën 1,7 miljon lekë.

Prokuroria e Korçës ka vlerësuar se Valent Nallbati, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Devol ka konsumuar elementët e veprave penale të falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës, për faktin se nga ana e zyrtarit janë kryer të gjitha procedurat fiktive për realizimin e prokurimit publik.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: