Dhuna ndaj fëmijës jetim në Durrës, kujdestarja pranon akuzat dhe kalon në gjendje shoku

01/04/2016 - 13:43

Në shtëpinë e fëmijës në Durrës kanë zbarkuar përfaqësuesit e Shërbimit Social të Tiranës, të Durrësit e prokurorë të rrethit pas skandalit të publikuar në media, ku një fëmijë 3-vjeçar u konstatua me shenja dhune të dukshme në fytyrë. Kujdestarja e fëmijës është pezulluar nga Këshilli Disiplinor i Shtëpisë së Fëmijës.    

Përfaqësuesit e këtyre institucioneve kanë marrë në pyetje stafin e shtëpisë së fëmijës, për të hedhur dritë se çfarë ka ngjarë. Kujdestarja e fëmijës Dafina Fama ka përfunduar në spital në gjendje shoku, pasi para këshillit disiplinor ka dhënë dëshmi kontradiktore. Fillimisht ka thënë se fëmija është rrëzuar në tualet, ndërsa më pas ka thënë se e ka qëlluar fëmijën, i cili kishte ardhur nga kopshti për t’u ndërruar nga kujdestarja.

Heroina Duka, drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës, në një prononcim për “DurrësLajm”, pohoi se do të jenë hetuesit ata që do të zbardhin këtë ngjarje.

“Nuk ka tolerim në rastet kur një fëmije i duken shenja dhune në fytyrë, ne pezulluam punonjësen, dhe drejtësia do të thotë fjalën e saj. Kam qenë deri në tre të mëngjesit në polici ku bëra denoncimin”, tha Duka.

Ngjarja është shënuar më 29 mars, ndërsa fëmija jetim është kthyer nga kopshti “Fotomonobeu” në lagjen 6, në institucionin e përkujdesjes. Kujdestarja Fama duhej ta ndërronte fëmijën. Por nga punonjësja sociale, fëmija u konstatua me shenja në fytyrë. Në datën 30 mars është lajmëruar drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës, e cila mblodhi këshillin disiplinor dhe pezulloi kujdestaren. Më 31 mars, drejtoresha ka bërë denoncimin në polici, ndërsa çështja u publikua nga emisioni investigativ “Stop”, duke shkaktuar zemërimin e qytetarëve ndaj asaj që i ka ndodhur fëmijës jetim.

K.H.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: