Djali i Arben Frrokut: Nuk e ka vrarë im atë Dritan Lamajn

26/02/2013 - 19:56

TIRANE, 26 shkurt 2013 - Një ditë pas arrestimit të të atit ka reaguar djali i Arben Frrokut, Grandi, i cili përmes një letre sqaron arsyet që sipas tij policia po akuzon pa të drejtë të atin e tij për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Grand Frroku shprehet se arrestimi i të atit është i shpejtuar dhe familja e tij disponon prova që vërtetojnë se Arben Frroku nuk është përfshirë në ngjarjen e vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr.6, Dritan Lamaj, dy ditë më parë. Prova sipas tij është një video që tregon se në momentin e vrasjes, i arrestuari Frroku ka qenë në Laç, në biznesin e tyre dhe më pas është nisur në Selanik për tek kushërinjtë e tyre. Këto detaje djali i Farrukut i ka bërë publike për opinionin nëpërmjet një letre drejtuar mediave.

“Më duhet të shpjegoj në linja të përgjithshme lëvizjet e tim ati, me dijeninë time. Me datë 24/02/2013 babai im Arben Frroku ka qenë në Laç në ndeshjen midis Kamzës dhe Tërbunit, pasi prej disa kohesh është president i kësaj të fundit. Pas mbarimit të ndeshjes ka ardhur në Tiranë në ambientet e biznesit te tij "AML"dhe për këtë disponojmë prova dhe filmime. Më pas është nisur për të shkuar në Selanik tek një kushëri i jonë. Besoj se përkimi e ngjarjes me ikjen e tim ati është një koincidence qe po tentohet te keqpërdoret nga strukturat e policisë dhe për këtë do kemi rastin që ta zbardhim në ditët në vazhdim. Përsa kemi marrë vesh nga mediat vizive apo të shkruara i ndjeri ka pasur një sërë konfliktesh për shkak të detyrës dhe rasti ynë i trumbetuar me forcë ka qenë vetëm njëri prej tyre, dhe për këtë ne i jemi drejtuar organeve kompetente, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nuk mund ta kuptoj ngutjen e policisë së shtetit për të ngushtuar rrethin e të dyshuarve tek babai im dhe për ta shpallur si të dyshuarin kryesor. Nevoja e policisë për t’i vënë një emër kësaj pune, në vend që të sqarojë opinionin dhe familjarët e të ndjerit, po shpërndan shumë tym dhe po i hedh benzinë zjarrit, pasi krijon artificialisht konflikt midis dy familjeve dhe fiseve në fjalë. Dua të bëj me dije opinionin publik se që në çastin që u njoftua ngjarja, policia e shtetit ka ushtruar kontroll në banesat tona dhe na ka shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku kemi dhënë shpjegimet e nevojshme. Ne emër te familjes Frroku dua te shpreh besimin se e vërteta do te zbardhet si drita e diellit dhe do te kemi një realitet krejt tjetër nga kjo e paraqitur nga policia. Duam të besojmë gjithashtu se drejtësia do veprojë me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin”,- përfundon deklarata e djali të Arben Frrokut.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: