Dritëhijet e mesazhit të 23 qershorit

28/06/2013 - 12:04

Nga Blendi Kajsiu

Në rastin e zgjedhjeve të  23 qershorit, mesazhi i elektoratit duhet lexuar në dy plane.  Së pari, në raport me demokracinë shqiptare në përgjithësi. Së dyti, në raport me partitë politike në veçanti. Në raport me demokracinë shqiptare, rezultati i 23 qershorit është një moment shprese. Ai tregoi se motori i vërtetë i demokracisë shqiptare nuk është as elita lokale dhe as ajo ndërkombëtare, por vetë populli shqiptar. Ndërsa në raport me partitë politike, mesazhi i elektoratit është plot dritëhije. Edhe nëse kemi një penalizim të qeverisjes, çka reflektohet me humbjen e thellë të PD-së, nuk kemi një penalizim të keqqeverisjes, çka reflektohet te rritja e LSI-së. Le t’i shikojmë këto dy momente me radhë. 

Përsa i përket demokratizimit shqiptar, zgjedhjet e 23 qershorit shënojnë pa dyshim një hap tejet pozitiv. Votim dhe numërim i qetë si rrallë më parë në zgjedhjet tona parlamentare. Pranim i rezultatit dhe me shumë gjasa edhe rotacion i pushtetit në mënyrë të qetë dhe demokratike. E gjitha kjo nuk i detyrohet as institucioneve zgjedhore, as pranisë së faktorit ndërkombëtar. Ky proces shembullor i detyrohet rezultatit, që duke qenë i qartë, e paralizoi çdo tentativë manipulimi.

Një tjetër moment shprese dhe drite në këtë rezultat është refuzimi i krahinorizmit politik nga elektorati. Politika krahinoriste është një produkt i elitës politike shqiptare, si majtas, edhe djathtas. E djathta me në krye Berishën, edhe pse fliste rrallë në terma krahinoristë, gjithnjë e më tepër i mbushi mjaft institucione me militantë politikë besnikë që shpesh (ndonëse jo gjithmonë) përkonin me bastionet e saj në Veri. Kjo vinte si pasojë e rrudhjes së dimensionit përfaqësues të PD-së, çka gjithnjë e më tepër prodhonte një politikë klienteliste krahinore. Në nivel artikulimi, kjo politikë përforcohej edhe nga thirrjet e Berishës për të mos e votuar Ramën si antiverior, apo nga arroganca me të cilën Topalli e theksonte identitetin e saj verior, shpesh duke refuzuar haptas shqipen letrare. 

E majta me në krye Ramën, nga ana tjetër, vazhdimisht e shikonte Veriun si bastion të PD-së, si një elektorat të ngrirë në identitetin e tij primordial. Kjo logjikë shfaqej fuqishëm në anekdotën pa shije të malësorit të zhytur në ujë dhe me dy gishtat lart, që u kthye në simbolin politik të Veriut.   Po kështu, krahasimi që i bëhej Tiranës me një Amerikë të vogël në raport me të ardhurit nga Veriu, i paralelizonte këta të fundit me të huajt (alienët), me refugjatët italianë që shkuan në Amerikë, apo me ata shqiptarë në Greqi dhe Itali. Nga ana tjetër, në fushatën e PS-së theksohej fort origjina qytetare (tironse) e Ramës dhe e bashkëshortes së tij.

Produkti i politikave të Berishës që prodhonte institucione gjithnjë e më tepër krahinoriste, furnizonte mjaft mirë artikulimin e PS-së që e shihte Veriun dhe të ardhurit me dyshim. Rezultati ishte një artikulim politik që sa më pak bazohej te ndarjet ideologjike apo shoqërore, aq më shumë bazohej te ndarjet krahinore. Në këtë aspekt, elita politike shqiptare (me ndonjë përjashtim si LSI-ja), luajti një rol mjaft regresiv në raport me vendin. Në vend që t’i shërbente tejkalimit të ndasive krahinore, ajo shpesh mbillte farën e përçarjes rajonale.
Pikërisht në këtë aspekt, rezultati i 23 qershorit ishte një rezultat emancipues, pavarësisht fituesit dhe humbësit. Së pari, rezultati tregoi që elektorati nuk mund të trajtohet si bastion krahinor. Së dyti, rezultati i dha një grusht të fortë mobilizimit politik krahinorist. Votimi i së majtës në Veri tregoi se elektorati kërkon integrimin, dhe jo përçarjen krahinore. Se problemet me të cilat përballen shqiptarët janë të ngjashme si në Veri, edhe në Jug.  Fakti që ky rezultat çuditi edhe vetë të majtën, tregon se sa e papërgatitur ishte një pjesë e saj për ta parë Veriun në terma jo krahinoristë.

Ndaj mund të themi se pas zgjedhjeve të 23 qershorit i mbetet elitës të shfaqet në lartësinë e elektoratit. Kjo duhet theksuar sepse modeli ynë i demokratizimit është një model tejet elitist që problemet i shikon gjithnjë te populli dhe zgjidhjet gjithnjë te elita, lokale apo ndërkombëtare.  Politikanët, analistët, edhe intelektualët shqiptarë, kanë përqafuar fort një qasje elitiste që nga njëra anë frymëzohet nga vepra e Faik Konicës, dhe nga ana tjetër përforcohet nga procesi elitist i integrimit në BE.  Është një qasje në të cilën elita shpesh qahet për injorancën e popullit në raport me të cilën lartëson dhe diferencon vetveten.

Është një qasje problematike jo thjesht se bazohet te racizmi kulturor apo ligjërimi orientalist që e përshkon tej e tej Konicën. Problemi qëndron se një qasje e tillë injoron tërësisht realitetin empirik. Në këto njëzet vite demokraci ka qenë gjithnjë populli ai që ka prodhuar ndryshim, si me rrëzimin e komunizmit në vitin 1992, si me revoltën popullore të vitit 1997, si me zgjedhjet e vitit 2005, edhe sot. Elita ka qenë tejet e lidhur me pushtetin dhe status kuonë për të qenë motor i ndryshimit; për pasojë, ajo më shpesh ka shërbyer si timon. Ndaj zgjedhjet aktuale mund të shërbejnë si një korrektues i perspektivës dominuese elitiste se demokracia vjen nga lart–poshtë, d.m.th. Europë-Shqipëri, Elitë–Popull, apo Qytet–Fshat.

* * *
Deri tani jemi marrë me potencialin pozitiv të zgjedhjeve të 23 qershorit në raport me demokracinë shqiptare në përgjithësi. Tashmë do të përpiqemi ta lexojmë votën e elektoratit në raport me forcat politike ekzistuese. Në këtë aspekt momentet e dritës ndërthuren fort me hijet e errëta.

Dy janë momentet kritike që duhen lexuar në rezultatin aktual. Së pari, humbja e thellë e PD-së. Dhe së dyti, rritja e ndjeshme e LSI-së. Këto janë edhe dy risitë surprizë të fushatës. Pakkush priste një humbje kaq të thellë të PD-së dhe një rritje kaq të ndjeshme të LSI-së.

Përsa i përket humbjes së PD-së, mendoj se analizat aktuale kanë të drejtë kur theksojnë se ajo ishte një votë e qartë kundër Kryeministrit Berisha. Megjithatë, duhet theksuar se humbja e thellë e Berishës duhet parë edhe si pasojë e refuzimit të tij për të lexuar votën e vitit 2009. Edhe në vitin 2009 elektorati shqiptar votoi kundër Berishës Kryeministër. Në zgjedhjet e vitit 2009 PS dhe LSI së bashku morën më shumë vota se koalicioni i PD-së. Kjo ishte një votë e qartë anti-Berishë. Megjithatë, pas koalicionit me LSI-në, Berisha filloi të sillej si Kryeministër i një shumice politike, dhe jo i një shumice thjesht matematike. Përkundër verdiktit të elektoratit, ai e zgjeroi pushtetin e tij duke kapur edhe pjesët natyrore të shtetit, duke filluar me Presidentin. Kjo ishte një sjellje politike mjaft arrogante. Kombinuar me situatën e përkeqësuar ekonomike, ajo e bëri elektoratin që ta ritheksonte mesazhin e 2009-s akoma më qartë.
Megjithatë, vota anti-Berishë nuk duhet të interpretohet thjesht si një votë idealiste që dënoi keqqeverisjen aktuale. Në zgjedhjet e 23 qershorit vota “idealiste” e protestës është kombinuar fort me votën pragmatiste të punësimit. Përndryshe nuk kemi si ta shpjegojmë rritjen spektakolare të LSI-së. Dhe këtu futemi te pjesët e errëta të mesazhit të elektoratit.

Fituesja e vërtetë e 23 qershorit ishte LSI-ja dhe modeli i saj politik klientelist; punë në shkëmbim të votës. Jo rastësisht parulla e kësaj force ishte punësimi. Natyrisht, këtu nuk duhet mohuar edhe puna e fortë organizative në terren e kësaj partie. Por thelbi i modelit të LSI-së mbetet garantimi i punësimit për anëtarët e saj në një shoqëri ku papunësia është plaga më e rëndë sociale.

Modeli “vota në shkëmbim të punësimit” është tipik për të gjitha partitë. Ama, në këto zgjedhje LSI kishte dy avantazhe. Së pari, LSI-ja e kishte të garantuar qenien në pushtet, pavarësisht nëse fitonte PS-ja apo PD-ja. Së dyti, LSI–ja u rehabilitua moralisht që në momentin që Rama vendosi të bashkohej në koalicion me të. Në fakt, pas këtij koalicioni karta morale u fshi nga fjalori i fushatës.

E thënë shkurt, tashmë të votoje për Metën nuk ishte turp, pasi ai nuk ishte aspak më i keq se Rama apo Berisha. LSI ishte në një pozicion sa komod, aq edhe të paparë, përpara dhe gjatë fushatës elektorale; atë nuk e kritikonte as e majta dhe as e djathta. Nga ana tjetër, një votë për LSI-në sillte përfitime më të sigurta dhe më të mëdha se një votë për PD-në dhe PS-në. Te LSI-ja përmasat e partisë janë ende më të vogla se përmasat e pushtetit që kjo forcë disponon.

Ndaj, përtej dritës, rezultati i 23 qershorit ka edhe një moment errësire. Ai tregon mbijetesën e modelit të patronazhit politik. Modeli ku administrata, qendrore dhe lokale, institucionet apo ndërmarrjet shtetërore, mbushen me militantë partiakë. Ku shteti është në shërbim të klientelës politike, dhe jo në funksion të shoqërisë në përgjithësi. Ndoshta modeli klinetelist i majtë do të jetë me gjithëpërfshirës se ai i PD-së. Megjithatë, kemi të bëjmë me të njëjtin model që dobëson administratën publike, që nxit kapjen e shtetit nga interesat private dhe, për pasojë, pamundëson qeverisjen në funksion të interesit publik.

Në këtë kontekst, 23 qershori tregoi edhe një herë rëndësinë gjithnjë e më të madhe të biznesmenëve, të fortëve, apo të fortëve-biznesmenë në procesin elektoral. Proporcionali rajonal ende nuk ka arritur ta “pastrojë” Parlamentin shqiptar. Parlamenti që del nga këto zgjedhje do të jetë plot me biznesmenë të fortë.  Shpesh më shumë sesa për të mbrojtur interesat e qytetarit, këta individë e shohin Parlamentin si një mburojë për vetveten. Kjo është një tjetër hije që e zbeh, por ende nuk e errëson dritën e mesazhit elektoral të 23 qershorit.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: