Duka: Nuk iki nga e djathta, por prisja që Rama të më uronte

04/09/2013 - 22:34

Megjithatë, “në rast se për një arsye në të ardhmen kam konflikte ose nëse e majta ka zhvillime pozitive për të ardhmen e kombit, mund të rishoh mundësinë vetëm pas mandatit”

DURRËS, 5 shtator 2013 – Ish-socialisti, tani deputet republikan, Agron Duka deklaroi në TV se mandati i tij si deputet “do jetë djathtas”. Por është kontradiktor teksa thotë: “Jam besnik i ideve të mia”. Të majta apo të djathta? Duka shton: “Nuk qëllon që të luaj ndryshe”. Megjithatë, “në rast se për një arsye në të ardhmen kam konflikte ose nëse e majta ka zhvillime pozitive për të ardhmen e kombit, mund të rishoh mundësinë vetëm pas mandatit”. Këto deklarime bëhen në prag të hapjes së sesionit të ri Kuvendit të Shqipërisë. Dhe për të qetësuar “të vetët”, tanimë të djathtë, se nuk do të jetë ai që do të çojë në 84 numrin e deputetëve të shumicës, Duka pohon: “Njeriu e gjen veten mirë aty ku vlerësohet mirë, unë ndihem mirë dhe kam marrëdhënie të mirë me anëtarët e PR-së si dhe liderët e PD-së”. Dihet që Berisha e ka sulmuar ashpër deputetin Agron Duka kur përfaqësonte PS me kryetar Fatos Nanon. Ndoshta, Duka synon t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit Berishës dhe partisë së tij, që tani ka një kryetar tjetër zyrtar, Lulzim Bashën. Madje, për të dëshmuar pajtimin me Berishën, Duka tha se kalimi i selisë së PD-së në ish-shtëpinë e ushtarakëve nuk ka asgjë të keqe. Por labi nga Shijaku, ndryshe nga PD-ja, nuk parapëlqen të paragjykojë qeverinë e re dhe pret si do të ecë puna në 100 ditët e para. Duka paraqitet tej i çliruar nga “huqet” e politikanëve shqiptarë, teksa, si pa gjë të keqe, thotë atë që nuk guxon kryetari i PR-së:  “Kam marrëdhënie të mira me të gjithë deputetët e PS-së, me Ramën kam marrëdhënie të rregullta, por s’kemi pasur komunikim telefonik apo takime direkte. Unë mendoj se u vlerësova padrejtësisht nga ai. Prisja një urim, pasi urimi u takon 10 mijë e 500 njerëzve. Secili në krahun e tij ka pasur të drejtë. Ai fitoi në aleancë me LSI, me një numër më të vogël se në 2009, por nga krahu tjetër edhe unë fitova. Se kush nga ne pati të drejtë në qarkun e Durrësit i takon së ardhmes. Nuk kam kontakte dhe nuk kam pasur asnjë ftesë, por dhe po të kisha preferoj të qëndroj në opozitë, pasi ndihem mirë me kolegët e mi dhe kryetarin e PR dhe PD”.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

 
 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: