19 maj 2015 – Durrësi do qeveriset nga durrsakët. Do çojmë modelin e gruas në bashki. Këto kanë qenë zotimet e radhës së kandidates për kryebashkiake në Durrës, Grida Duma.

Gjatë një bashkëbisedimi me gra dhe vajza të qytetit, Duma ka ndarë me to modelin e gruas dhe nënës, duke u shprehur se do të ketë më shumë vëmendje për ato gra që më tepër i kanë dhënë shoqërisë, seç kanë marrë prej saj.

“Unë e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh grua dhe të mbash pastërti kur dy metra larg është pis. Unë e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh grua kur mbajmë gjykime që nuk na takojnë për gabimet e të tjerëve edhe kur u kemi dhënë dashuri. Unë e kuptoj që është dhunë e madhe të mbash një fëmijë në apartament dhe të mos ketë asnjë vend ku të shkojë. Themi që fëmijët rrijnë me Ipad dhe telefon, por ku do shkojnë?! Ku është fusha sportive?! Ku është një kënd lojërash që të rrijë që ai të rrijë me 3 shokë, sepse është e rëndësishme të rrijë me shokë. Unë e mbaj mend veten përpara se të bëhesha nënë dhe e di veten tani. Kemi këtu vajza të reja që kur të bëhen nëna do ta ndjejnë se çfarë diferencë e madhe është. Se si fillon të pushosh së menduari për veten. Do ta çojmë modelin e gruas në Bashkinë e Durrësit, në një model të fisëm e qytetar prej zonje. Është e vërtetë që ne duam më shumë investim te pjesa e grave të cilat për balancë historike, i kanë dhënë më shumë seç i kanë marrë shoqërisë. Vetëm për këtë arsye”, është shprehur Duma.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/