Durrës, dhunohej nga i shoqi, hidhet nga kati i tretë

09/01/2013 - 10:53

DURRES- Tenton vetvrasjen si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj. Një e re 26 vjeçare është hedhur pasditen e djeshme nga kati i tretë i pallatit ku jetonte, pasi duket se nuk mund të duronte më dhunën psikologjike të bashkëshortit të saj 40 vjeçar.

Duket se lartësia jo shumë e madhe e ka favorizuar 26 vjeçaren, e cila ka pësuar dëmtime të shumta trupore, por pa rrezik për jetën. Pas hedhjes nga ballkoni, asaj i kanë ardhur në ndihmë bashkëshorti dhe fqinjët, të cilët e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit.

Sipas mjekëve të këtij spitali, e dëmtuara gjendet e shtruar në repartin e Reanimacionit, por është jashtë rrezikut për jetën.

Me të marrë njoftimin për këtë ngjarje, policia ka shoqëruar në komisariat bashkëshortin e të dëmtuarës, 40 vjeçarin me iniciale Y.U., lindur në Mirditë e banues në Durrës.

Sipas policisë, “nga veprimet hetimore të kryera rezulton se shtetasi në fjalë, rreth orës 15.00, si pasojë e dhunës psikologjike të ushtruar ndaj bashkëshortes së tij 26-vjeçare, e ka shtyrë atë drejt vetëvrasjes, pasi është hedhur nga kati i tretë i  pallatit ku jetonte”.

Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes, mbetur  në tentativë. 40 vjeçari është duke u proceduar penalisht në gjendje të lirë. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: