Durrës, gropa gjysmë metri e thellë “pret me gojë hapur” qytetarët që zbresin nga autobusi (FOTO, VIDEO)

Postuar: 16/08/2016 - 12:25

Në sheshin “Pranvera” në qytetin e Durrësit, në stacionin e autobusave të Porto Romanos, një gropë rreth gjysmë metri e thellë rrezikon çdo ditë jetën e qytetarëve. Ajo ndodhet shumë pranë vendit ku ndalon urbani e prej nga zbresin njerëzit.

Qytetarët që zbresin apo që kalojnë nga stacioni nëse nuk janë të vëmendshëm rrezikojnë të bien brenda në këtë gropë, që mesa duket është hapur nga prishja e një pusete të vogël kulluese.

Një qytetar i shqetësuar ka denoncuar në “Durrës Lajm” këtë problem infrastrukturor, duke dërguar edhe një video dhe disa foto që tregojnë momentet kur qytetarët zbresin nga autobusi dhe përpiqen t’i shmangen gropës në rrugë. Larg qoftë nëse shoferi e ndalon autobusin ngjitur me këtë ish-pusetë kulluese, sepse njerëzit sapo të zbrisnin nga dera do të binin brenda duke rrezikuar të thyejnë duar e këmbë.

Situata bëhet më e rrezikshme natën, pasi në mungesë të ndriçimit të shumtë, qytetarët mund të mos e vënë re.

Edhe pse kjo gropë qëndron prej muajsh e hapur dhe vjen e zgjerohet edhe më shumë sa herë që bien copëza të asfaltit, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për ta mbyllur. Mesa duket autoritetet përkatëse në qytetin e Durrësit po presin që dikush të bjerë e të vritet, që të ndërhyjnë për ta mbyllur gropën “që pret me gojë hapur” qytetarët, apo mbeturinat që kanë filluar t'i hedhin aty sikur të ishte kosh plehërash. 

R.O.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: