Durrës. Kontrabanda e naftës, masa e sigurisë: 7 nga 8 të dyshuarit në qeli

16/12/2013 - 19:17

·        Tension në gjykatë, kërcënohen gazetarët dhe kameramanët

·        Për dy prej pronarëve të anijeve, konkretisht Z. V. 60 vjeçe, kushërira e një deputeteje të PD-së në qarkun e Durrësit, u dha masa e sigurisë 30 ditë burg, ndërsa për A. M. detyrim paraqitjeje

DURRËS, 16 dhjetor 2013 – Mes një incidenti të rëndë, ku kameramanët u kërcënuan nga të afërm të të ndaluarve, gjykata e rrethit gjyqësor të Durrësit ka zhvilluar më 16 dhjetor 2013, ora 14:30, seancën për masën e sigurisë për 8 të arrestuar, më 13 dhjetor 2013, me akuzën e kontrabandës së naftës dhe pijeve alkoolike.  Prokurori i çështjes Afrim Shehu kërkoi për tetë të arrestuarit masën e sigurisë me burg. Kurse gjykatësja e çështjes Shpëtime Pitaku ka lënë në burg deri në përfundim të hetimeve gjashtë prej tetë të arrestuarve për veprën penale të “kontrabandës me mallra qe paguhet akcizë” të arrestuar tre ditë më parë pas një hetimi dymujor nga njësia task force e prokurorisë së Durrësit. Për dy prej pronarëve të anijeve, konkretisht Z. V. 60 vjeçe, kushërira e një deputeteje të PD-së në qarkun e Durrësit, u dha masa e sigurisë 30 ditë burg, ndërsa për A. M. detyrim paraqitjeje. Masa e sigurimit me arrest në qeli u dënuan pronari i anijes së tretë, A. C., dhe transportuesit e E. K., E. H., I. B., A. Ç., dhe A. I. Ndërkaq të afërmit e të arrestuarve kanë pretenduar se të gjitha arrestimet kanë qenë për shou sepse asnjë prej akuzave të ngritura nuk qëndron, janë të pabaza. Pak minuta para se të niste seanca, kanë qenë mbi 100 veta që synonin të ndiqnin masat e sigurisë për të ndaluarit. Menjëherë disa prej tyre kanë kërcënuar me jetë gazetarë dhe operatorë. Pas përplasjes me mediet, Pitaku largoi nga salla edhe të afërmit e të arrestuarve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: