Durrës, PD denoncon investimin e ri në plazh: Të nisin hetimet

29/03/2016 - 14:02

Partia Demokratike në Durrës ka vijuar me denoncimet për investimin që po kryhet në rrugën “Pavarësia” në plazhin e Durrësit. PD është e mendimit se Prokuroria e rrethit duhet të nisë hetimet për këtë investim.

 “Investimi i vitit 2015 për rrugën “Pavarësia” në plazhin e Durrësit, synonte të sillte realizimin e korsive te biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimin. Rrugë e cila iu dha për ndërtim me fondet e bashkisë, pra nga taksapaguesit, firmës me çmimin më të lartë të ofertës me një fond prej 168 milionë lekësh pa tvsh. E gjithë kjo rrugë, u ndërtua në një nxitim të madh në kohën e fushatës zgjedhore lokale ku dhe u quajt një ndër projektet vizionare të Bashkisë së Durrësit.
Sot, gjendemi përpara faktit ku pa kaluar ende viti, po rikualifikohet nënkalimi i rotondës tek Ura e Dajlanit, rikualifikim i cili vjen në një kohë kur sapo është mbyllur një investim. Të realizosh një investim me fondet e buxhetit të shtetit në 2016 do të thotë që minimalisht ky investim duhet të ishte në listën e prioriteteve të Bashkisë për vitin 2015-2016 dhe për më tepër duhet te jetë pjesë e listës së parashikimeve 4-vjeçare për investimet prioritare ku duhej të kalohej dhe në Këshillin Bashkiak”, pohoi ndër të tjera sekretare e Marrëdhënieve me Publikun Lorisa Ylli në një deklaratë për mediat.

“Ky projekt, përveçse nuk është një investim prioritar, nuk është diskutuar në Këshill Bashkiak dhe me grupet e interesit, kjo sepse nuk mund të jetë kurrsesi prioritet një investim i ri i cili zhbën atë ekzistues të sapo përfunduar pa e vënë ende në eficencë. Tabela e punimeve e cila është një nga elementet e transparencës, paraqet Bashkinë Durrës si investitore, ndërkohe që investitor është buxheti i shtetit dhe Bashkia Durrës është përfituesi.
Nuk ka qytetar taksapagues të Durrësit dhe banor apo vizitor të plazhit, që të mos revoltohet kur sheh në rrugën e sapo përfunduar një tabelë punimesh për “Rikualifikimin e saj” në një hark kohor që nuk kalon vitin duke prekur ndjeshëm sezonin turistik të vitit 2016 dhe duke u ndërhyrë në një ndërtim të sapo përfunduar. Rikualifikimi i këtij projekti, synon të ndërhyjë te ndriçimi dhe gjelbërimi, dy pikat kyçe të projektit të 2015-s dhe që ndodhet ende brenda garancisë dhe afateve ligjore”.

K.H. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: