Durrës. Rivihen në punë radarët, Ministrja Kodheli në Plepa

19/02/2014 - 18:23

DURRËS, 19 shkurt 2014 –  Sistemi i radarëve në Plepa, i cili ishte jofunksional prej më se 3 vjetësh, tashmë është vënë plotësisht në gjendje pune. Vetëm një ditë më parë funksionimi i këtij sistemi ka dhënë rezultatin e tij, duke bërë të mundur zbulimin dhe ndalimin e një anije në ujërat e Ksamilit, e cila u detyrua të hedhë në det një sasi prej 50 kg marijuanë.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Jeronim Bazo, ishte më 19 shkurt 2014 në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) në Plepa, Durrës, me rastin e ngritjes së kapaciteteve të vëzhgimit të hapësirës detare. Ajo u prit nga drejtori i kësaj qendre gjeneralmajor në rezervë Maksim Malaj, koordinatorët të kësaj qendre dhe kuadro të Forcës Detare, i tha “Dyrrah”-ut zëdhënësi Shefqet Kërcelli. Mbasi i uroi mirëseardhjen, Malaj e njohu shkurtimisht Ministren dhe vizitorët e tjerë me misionin e detyrat e QNOD-it, strukturën, operacionet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe si ato për zbatimin e ligjshmërisë dhe të kërkim-shpëtimit, baza juridike, burimet e informacionit, sistemet në përdorim për mbulimin e hapësirës detare nga Shëngjini në Sarandë, vështirësitë  për mirëmbajtjen e tyre, asetet e çdo institucioni pjesëmarrës në QNOD, trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta me flotën e 6-të SHBA, bashkëpunimi me Guardia di Finanza-n dhe institucionet e tjera rajonale, si qe rasti i fundit i një operacioni antidrogë ku u bashkëpunua me policinë greke. Gjatë brifingut Kodheli këshilloi shkëmbimin koherent të informacionit me Rojën italiane të Financës dhe krijimin e hapësirave të nevojshme dhe një kuadër ligjor të plotë për monitorimin e hapësirës detare duke bashkëpunuar dhe me konsulentë të tjerë juridikë. Ministrja Kodheli u njoh nga afër me punën që bëhet për vëzhgimin dhe kontrollin që u bëhet hapësirave detare nga personeli i kësaj qendre. Gjatë takimit dhe bisedave që zhvilloi me drejtuesit dhe specialistët e këtij institucioni, kreut të dikasterit iu konfirmua se sistemi i radarëve, i cili ishte jofunksional prej më se 3 vjetësh, tashmë është vënë plotësisht në gjendje pune. Vetëm një ditë më parë funksionimi i këtij sistemi ka dhënë rezultatin e tij, duke bërë të mundur zbulimin dhe ndalimin e një anije në ujërat e Ksamilit, e cila u detyrua të hedhe në det një sasi prej 50 kg marijuanë. Ndërkohë në konferencën për shtyp me mediet qendrore e lokale, Ministrja theksoi rëndësinë që i po i kushton qeveria e re rritjes së sigurisë detare në të gjithë hapësirën tonë ujore, pjesë e të cilës ishte rivendosja në punë e Sistemit të radarëve, që për arsye burokratike ishte neglizhuar deri tani. Tashmë institucionet tona detare kanë syrin dhe veshin për të zbatuar më së miri detyrat dhe misionin e tyre në det, vuri në dukje zonja Kodheli. Dhe në të ardhmen, në programet e qeverisë aktuale, problematika e sigurisë dhe zbatimit të ligjshmërisë detare do jetë në qendër të vëmendjes, përfundoi Ministrja e Mbrojtjes Kodheli.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: