Durrës, simulohet alarm për bombë në terminalin e trageteve, evakuohen pasagjerët (video)

27/03/2016 - 19:55

Qindra pasagjerë dhe automjete janë evakuuar nga terminali i trageteve, në Portin e Durrësit, pas simulimit të një alarmi për bombë. Simulimi në Portin e Durrësit kryhet dy ditë pas një simulimi të ngjashëm për rënie zjarri në Portin e Vlorës. Një manovër e tillë stërvitore është kryer si pjesë e masave kundër akteve të mundshme terroriste në vendet publike me shumë njerëz me qëllim për të parë reagimin e autoriteteve dhe marrjen e masave shtesë, aty ku shihet e nevojshme.

Në terminalin e trageteve, menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për ekzistencën e një bombe, rreth orës 19:00, Forca e Sigurisë së Portit të Durrësit dhe efektivat e Policisë së Kufirit dhe Migracionit kanë zbrazur mjediset e zonës portuale, duke evakuuar të gjithë pasagjerët. Alarmi i dhënë konsistonte në ekzistencën e një çante, brenda së cilës kishte lëndë eksplozive.

Menjëherë pas dhënies së alarmit, autoritetet kanë kryer bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme, ndërkohë që specialistët xhenierë kanë verifikuar çantën e dyshuar me lëndën eksplozive. Njëkohësisht, pranë terminalit të trageteve, kanë ardhur edhe mjete të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe autoambulancat e Spitalit Rajonal të Durrësit.

Pas verifikimit se çanta nuk kishte lëndë eksplozive, pasagjerët janë lejuar të kthehen në terminal, për të vazhduar udhëtimin e tyre.

Në këtë moment, kapiteni i përgjithshëm i porteve Hysni Aruçi është shfaqur në terminalin e trageteve të Portit të Durrësit, duke iu kërkuar falje pasagjerëve për problemet e shkaktuara. Ky ka qenë është momenti kur u kuptua se bëhej fjalë për një simulim.

Sipas të dhënave të para, simulimi i kryer ka qenë i suksesshëm dhe reagimi i autoriteteve ishte në parametrat e kërkuar.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: